Një 24-vjeçar nga Tirana i shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike është arrestuar sot, në vazhdën e operacionit policor të koduar "Tempulli 2". Ai u arrestua në Rinas, ndërkohë që me arrestimin e tij ka shkuar në 74 numri i shtetasve të ndaluar në këtë operacion.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, si rezultat i analizës së riskut dhe i veprimeve të thelluara gjatë verifikimit të gjeneraliteteve të një shtetasi, kanë ndaluar shtetasin M. B., 24 vjeç, banues në Tiranë”, njofton Policia.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gram heroinë dhe 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta dhe 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro, 630 paund.
(A2 Televizion)