Mbyllet “Beleri”, avokati: Kushtetuesja po na pengon për Strasburgun

Nga Armand Bajrami
2 Shkurt 2024, 13:04 | Kronikë

Mbyllet “Beleri”, avokati: Kushtetuesja po na pengon për

Prokuroria e Posaçme, SPAK, do të thotë fjalën e saj të fundit ndaj Fredi Belerit më 13 shkurt. Gjykata e Posaçme mbylli shqyrtimin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, të akuzuar për “korrupsion në zgjedhje” dhe caktoi këtë datë për leximin e pretencës së prokurorisë.  

Debati i fundit mes palëve në gjyq ishte mbi faktin se përse ditën e arrestimit të Belerit, më 12 maj 2023, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte lëshuar një dëshmi penaliteti me përcaktimin “i dënuar” për të, ndërsa para dhe pas këtij momenti, dëshmitë e penalitetit e referonin si “të padënuar”.

Në gjykim, avokatët e pretenduan si manipulim, me pretendimin se klienti i tyre ishte rehabilituar nga një dënim i mëparshëm. Dëshmitarja e thirrur nga mbrojtja, Anila Paci, specialiste në regjistrin e gjendjes gjyqësore në Drejtorinë e Burgjeve, tha se kur kërkohet nga individi, në rast rehabilitimi, dëshmia e penalitetit del “i padënuar”, ndësa kur kërkohet me shkresë nga prokuroria, në të pasqyrohet gjithë historiku dhe ndaj është përcjellë me shënimin “i dënuar”.

Shpjegimi nuk bindi mbrojtësit e Belerit. Por, teksa pret përballjen në Kushtetuese për shfuqizimin e vendimeve që lanë Belerin në qelitë e burgut, avokati Gjyzari tha se kjo gjykatë po tejzgjat nisjen e gjyqit me një qëllim të caktuar: “Tejzgjatja më shumë se 3 muaj tregon se duan ta mbajnë peng çështjen, që të mos shkojmë në Strasburg”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos