U kap me 1.6 kg kokainë, arrestohet 44-vjeçari në Tiranë

Nga A2 CNN
20 Qershor 2026, 10:04 | Kronikë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 44-vjeçar gjatë operacionit të koduar “Bulevardi”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në kryeqytet.

Në pranga ka rënë shtetasi S. K., 44 vjeç, banues në Vorë, i cili dyshohet se furnizonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Bulevardin e Ri dhe segmentet rrugore që lidhin kryeqytetin me Urën e Paskuqanit.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e policisë në rrugën “Riglata”, 44-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan dy paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale rreth 1 kilogram e 680 gramë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ai jo vetëm furnizonte persona të tjerë me kokainë për shitje në doza, por një pjesë të lëndës narkotike e shpërndante edhe vetë.

Në vijim të punës hetimore, Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos