Tensionet mes Izraelit dhe Libanit mbeten të larta, pavarësisht armëpushimit të arritur së fundmi.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve izraelite në jug të Libanit, vetëm disa orë pasi kishte hyrë në fuqi marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Burime lokale bëjnë me dije se avionë dhe dronë ushtarakë izraelitë kryen gjatë natës një seri sulmesh në zonën e Nabatiyeh, duke goditur ndërtesa banimi dhe shtëpi. Ndërkohë, artileria izraelite bombardoi të njëjtën zonë dhe rrethinat e saj para agimit, shkruan A2CNN.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se Izraeli dhe Hezbollahu kishin rënë dakord për një armëpushim të premten, pas një periudhe përshkallëzimi të luftimeve në territorin libanez.
Megjithatë, sulmet e raportuara pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes kanë ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe rrezikun e një rikthimi të përplasjeve. (A2 Televizion)