Vendimi për Berishën, Gjokutaj: Kërkesa për mbikëqyrje policore e padrejtë, vlen vetëm për persona shoqërisht të rrezikshëm!

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2023, 12:04 | Kronikë

Vendimi për Berishën, Gjokutaj: Kërkesa për mbikëqyrje

Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës, ka folur pas seancës së sotme ndaj ish-kryeministrit, për të vendosur në lidhje me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Sipas Gjokutajt, në fillim të seancës nga pala mbrojtëse është kërkuar dorëheqja e gjyqtares së çështjes, ndërsa prokurorët, sipas avokatit, nuk e morën parasysh kërkesën e tyre dhe nuk iu përgjigjën asnjë pyetjeje.

Ndërkohë, Gjokutaj kundërshtoi gjithashtu edhe vendimin për mbikëqyrje policore për ish-kryeministrin, duke thënë se kjo është diçka e paparashikueshme në ligj dhe se vlen vetëm në rastet e personave me rrezikshmëri shoqërore.

“Në fillim të seancës ne i kërkuam gjyqtares të jepte dorëheqjen me shkakun e bërë të ditur tashmë për shkak njëanshmërie. Ajo nuk u shpreh as po as kundër, ndërsa përpara seancës kemi dorëzuar të gjitha provat për të provuar faktin se z. Berisha ka qenë anëtar i KLD.

Nga prokurorët vijoi seanca pavarësisht se kishim bërë kërkesën për përjashtim. Ne bëmë një set pyetjesh për prokurorët, por që nuk morëm përgjigje.

Ajo që unë dua të denoncoj është që ndryshimi i masës së sigurimit është kërkuar me mbikëqyrje policore, e pambështetur në ligj që tregon qëllimin e SPAK dhe kësaj gjykate jo për të bërë një proces të ligjshëm.

Sepse është e panevojshme dhe e paparashikueshme me ligj kërkesa e prokurorëve. Në asnjë rast ligji nuk parashikon mbikëqyrje policore. Kjo është për persona shoqërisht të rrezikshëm. Kjo nuk mund të krahasohet me argumentin e z. Berisha”, u shpreh ndër të tjera në prononcimin e tij për mediat pas seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.

Në këtë mënyrë, Sali Berisha do të vijojë të jetë në pritje për të paktën 24 orë të tjera për të mësuar fatin e tij, pasi sot Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk pati një vendim. Pas rreth 1 ore seancë, GJKKO vendosi që të shtyjë për ditën e nesërme në orën 11:00 vendimin për ish-kryeministrin.

Kjo për shkak të kërkesës së përsëritur të 2 avokatëve, Genci Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, për njëanshmëri. Ato kanë dorëzuar prova që sipas tyre faktojnë shkarkimin e gjyqtares në shkurt të 1996 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur kryetar ishte Sali Berisha.

Në kërkesën e prezantuar sot në gjykatë, SPAK ka kërkuar "arrest shtëpie" për Berishën me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Sali Berisha nuk ishte sot i pranishëm në gjykatë, madje gjatë kohës që u bë publike vendimi për shtyrjen e caktimit të masës së "arrestit në shtëpi" për të, ish-kryeministri po mbante fjalim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në selinë blu. Ai këmbëngulë se gjyqi ndaj tij është politik, pasi thekson se nuk ka asnjë provë që ka shkelur Kushtetutën në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv”. Në dosje thuhet se ish kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të privatizojë kompleksin duke shkelur ligjin. Malltezi aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.

Fillimisht, pas kërkesë së SPAK, GJKKO caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe i ndaloi daljen nga jashtë shtetit, mirëpo për shkak se Berisha nuk e zbatoi asnjëherë këtë vendim Gjykate, SPAK iu drejtua Kuvendit për ashpërsim të masës, në arrest shtëpie. Për rrjedhojë, me 75 vota pro, Kuvendi i hoqi Berishës imunitetin e deputetit dhe sot ish-kryeministri po përballet me drejtësinë si një qytetar i thjeshtë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos