Zjarr në një pallat në Tiranë, ndërron jetë 57-vjeçari

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2023, 08:49 | Kronikë

Zjarri që ka shkrumbuar këtë banesë mëngjesin e herët të së shtunës i mori jetën një 57-vjeçari. Ai jetonte këtu si qiraxhi prej gati një viti. Sipas Policisë së Tiranës, viktimë e zjarrit që përpiu apartamentin në katin e pestë të një pallati në rrugën “Ferit Xhajko”, mbeti Ramazan Duka.

Ai u gjet i pa jetë në një nga tre dhomat e apartamentit, të vetmen që nuk ishte prekur nga flakët. Sipas të dhënave të para, dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë asfiksia nga tymi. Në trupin e 57-vjeçarit nuk janë konstatuar plagë të shkaktuara nga djegia apo faktor tjetër.

Policia e kryeqytetit tha se apartamenti u përfshi nga flakët rreth orës 02:50 të së shtunës, kohë kur 57-vjeçari ka qenë i vetëm në banesë dhe dyshohet se vatra e zjarrit ka qenë në dhomën e ndenjjes.

Sinjalizimi i policisë për flakët është bërë nga banorë të zonës. Fqinjët e 57-vjeçarit thanë për A2 se nuk kishin dëgjuar thirrje për ndihmë nga fqinji i tyre dhe se kanë mësuar për zjarrin në pallat vetëm pas mbërritjes së policisë dhe zjarrfikësve.

Nga ana tjetër, jashtë derës së apartamentit zjarrfikësit dhe policia kanë konstatuar disa sende personale të 57-vjeçarit, kryesisht veshmbathje, që duket se janë nxjerrë prej tij në përpjekje për t’i shpëtuar flakëve. Trupi i pajetë i Dukës është dërguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës për vlerësimin e shkakut të vdekjes, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos