Prej më shumë se një muaji e gjysmë, kur termometri nisi të shënojë temperatura të larta, ka nisur edhe stina e arrestimeve për zjarrvëniet e qëllimshme në vend.
29 të dyshuar për vënien e flakëve janë të arrestuar dhe proceduar vetëm në qershor dhe në dy javët e para të korrikut, shkruan A2.
Madje, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar 2 shtetas, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, të dyshuar si autorë të 3 zjarrvënieve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Në Mallakastër, një 39-vjeçar u bë shkak për rënie të flakëve pasi shkaktoi shkëndija elektrike teksa tërhoqi me karroatrec një automjet. Si pasojë nga zjarri janë djegur dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.
Në Kavajë u arrestua një 51-vjeçar, banues në fshatin Sterbeg, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, u dëmtuan kullota në këtë fshat dhe 300 pemë.
Në Vorë u arrestua një 43-vjeçar, banues në fshatin Gjokaj, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të një shtetasi tjetër, u dogj një sipërfaqe toke në këtë fshat, e mbjellë me dru frutorë. (A2 Televizion)