Jo një roman me në qendër Mona Lizën, por Moma Lizën. Një nënë shqiptare që ecën në sprova ekzistenciale, në sprova të cilat, me gjasë, janë edhe ato të Shqipërisë. Etja për të thënë disa të vërteta, ndjesia për të rrëfyer një të shkuar të errët, atë të dënimeve për lirinë e besimit, por po aq edhe për sakrificat e panumërta të nënave shqiptare, e kanë shtyrë Arben Çejkun të shkruajë këtë roman.
Romani “Kryqi i Fjalës” ka në qendër “Moma Lizën”, rreth së cilës shtjellohet qeverisja e familjes. Ai na thotë se baza e një shoqërie dhe e një kombi është familja, ndërsa shtylla kryesore e saj është nëna. Çdo koncept ekstravagant jashtë kësaj, çdo eksperimentim social, sjell rrënim. Fuqia e dashurisë për njëri-tjetrin bëri që një familje e thjeshtë t’ia dilte të triumfonte përballë një regjimi të fortë që donte ta shkatërronte.
Romani shtron pyetjen: a është sot fjala realisht e lirë dhe a po kërcënohet ajo me metoda të tjera më të sofistikuara?
Fundi i romanit i jep nënës një kurorë nderimi nga biri i saj i vetëm, ndërsa perdja e dramës së familjes Oroshi ulet për t’u rrëfyer, përmes këtij romani me titull “Kryqi i Fjalës”. (A2 Televizion)