Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mbajti sot të parën mbledhje në seli, ku u rikthye pas dy vjetësh për herë të parë Gazmend Bardhi dhe deputetët e grupit të tij. Po ashtu, për herë të parë i gjithë grupi i bashkuar mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, ku kryefjalë ka qenë organizimi për protestën e 20 shkurtit. Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD, Rithemelimi, ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, nga ku foli për këto zhvillime, por edhe të ardhmen e opozitës.
"Na ka bërë bashkë nevoja për të rrëzuar këtë qeveri që çdo ditë prodhon nga një skandal", tha ai. “Është detyrë kombëtare që të rrëzojmë këtë qeveri. Lajm i mirë që të gjithë faktorët janë bashkuar. Ne kemi rënë dakord që të bashkohemi në diversitetin tonë. Nuk do të thotë që të gjithë të kemi të njëjtat mendime apo qëndrime”.
Më tej, Këlliçi u shpreh se Berisha ka dhënë një mesazh shumë të fortë me qëndrimin e tij në shtëpi, ndërsa ka sjellë edhe një rast të ngjashëm nga Pakistani.
“Qëndrimi i Berishës në arrest shtëpie ka dhënë një mesazh shumë të fortë, jo vetëm për mbështetësit e tij, ajo padrejtësi që nisi, ku për herë të parë një kryetar opozite të mbahet i izoluar pa asnjë provë, pa asnjë akuzë... Sot ka një solidarizim edhe më të madh me zotin Berisha. Pak ditë më parë keni parë një rast të ngjashëm në Pakistan, ku lideri i opozitës i burgosur, ka arritur të fitojë zgjedhjet me rrjetet sociale dhe më duket tërësisht legjitime, situata ku zoti Berisha edhe pse në këto kushte vijon të drejtojë PD-në dhe të bëjë betejë për fitoren e PD-së”.
Por, a do të ishte tërheqja e Berishës ideale në këtë situatë ku ndodhet opozita? “Nuk di të them kush është maksimalja, por të biesh dakord me një padrejtësi për hir të një qëndrimi të disa partnerëve të huaj apo për hir të një qëndrimi që mund të ketë në një moment të caktuar një pjesë e opozitës, qeverinë nuk po e marr fare parasysh, do të ishte një gabim fatal. Duhet të marrim parasysh një fenomen, nëse unë bie dakord që një ish-president në vendin tim, pak rëndësi ka si e ka emrin, nuk merr minimalisht një proces të drejtë ligjor, unë pa diskutim jam kundër pandëshkueshmërisë, por minimalisht një ish-president meriton një proces të rregull gjyqësor.
Ndërkohë, sa i përket çështjes non grata të Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Këlliçi u shpreh se ka pasur edhe raste kur qëndrimi amerikan ka ndryshuar. Ai theksoi se administrata e DASH mund të mbesë pa punë në rast të një rotacioni politik në Amerikë.
“Në gjykimin tim është një qëndrim i bërë nga administrata aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që nuk mund të jetë çudi që pas pak muajsh mund të gjenden edhe të papunë drejtuesit aktualë të Departamentit të Shtetit në një rotacion të mundshëm pushteti. Kjo ka ndodhur edhe në histori, në rastin e ish-kryeministrit të Indisë, që ka qenë i shpallur non grata dhe është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Obama”.
Në fund, ai nuk i mohoi ambiciet e tij politike. “Të jesh qenie politike e të mos kesh ambicie është një pikëpyetje shumë e madhe dhe një hipokrizi shumë e madhe. Anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët e PD, anëtarët e kryesisë, kanë të gjithë të drejtën e tyre legjitime për të pasur ambiciet e tyre në karrierë”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)