Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka mbajtur një konferencë për mediat pas shumë kohësh, nga selia blu.
Bardhi kthehet në selinë e demokratëve ku pasditen e kësaj të hënë do të mbahet mbledhja e Grupit. Gjatë fjalës së tij, teksa fliste për përçarjen e të demokratëve, Bardhi theksoi se vendi nuk e ka luksin që të humbasë opozitën.
Kjo është arsyeja, që sipas tij, ai dhe kolegë të tij të djathtë kanë bërë përpjekje për t’u bashkuar dhe për “t’u rikthyer demokratëve shpresën te partia e tyre.”
“Shumë do të donin që gjërat të mos kishin shkuar keq mes ne demokratëve, shumë të tjerë do të donin që bashkimi të kishte ndodhur më shpejt. Megjithatë, jam i bindur se sot, kur grupi parlamentar kthehet i bashkuar në shtëpinë e vet, kjo është një ditë e mirë për demokratët, për opozitën, për Shqipërinë.”
Bardhi, grupimi i tij dhe deputetet e Partisë së Lirisë iu bashkuan protestave të përditshme poshtë banesës së Sali Berishës mbrëmjen e 5 shkurtit. E hëna e 5 shkurtit u cilësua më pas nga vetë lideri i demokratëve si ditën e bashkimit historik. Sipas tij, 5 shkurti tregoi se demokratët e kapërcejnë individin në emër të interesit kombëtar. (A2 Televizion)