Sondazh: Të bëhesh i pasur në Shqipëri është:
  • E lehtë 10%
  • E vështirë 60%
  • E pamundur 30%

Bylykbashi: Kemi humbur 250 mijë nxënës e studentë në 10 vite, qeveria përgjegjëse

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2024, 12:59 | Politikë

Shqipëria ka humbur 250 mijë nxënës e studentë në 10 vite. Kështu deklaroi nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në konferencën e Departamentit të Arsimit dhe Shkencës, të zhvilluar këtë të hënë.

“Arsimi dhe shkenca janë elementet thelbësore të një qeverisje. Ajo që është arsimi sot, është Shqipëria në tri  dekadat e ardhshme. Dhe gjendja skandaloze e arsimit sot tregon se kush është e ardhmja e shqiptarëve në dekadat që do vijnë. Arsimi sot në Shqipëri është braktisur financiarisht. Nëse në qeverisjen e PD-së, buxheti ishte 3.4 për qind, sot është përveç premtimit të gënjeshtërt të qeverisë së Edi Ramës që do ta çonte në 5 për qind është vetëm 2.3 për qind. Pra as gjysma e asaj që ishte premtuar dhe mjaft më e ulët se në qeverisjen e PD-së”, tha Bylykbashi.

“Sigurisht kjo është shoqëruar me braktisje në aspektin infrastrukturor, janë më shumë se 600 shkolla të mbyllura në Shqipëri. Kjo bashkë me dështimin e një reforme territoriale administrative që ka ndikuar në uljen e interesit të qeverisë vendore dhe qendrore për të investuar në shkolla. Shkollat po mbyllen, komunitetet po braktisen. Një aspekt fare i qartë për atë impakt shkatërrimtar që politikat arsimore që kanë pasur politikat arsimore të qeverisë Rama, vjen nga PISA, që tregon se arsimi shqiptar ka rënien më të lartë se të gjitha vendet e tjera”.

Sipas tij, një aspekt shumë i rëndësishëm negativ, që tregon edhe vullnetin politik negativ të kësaj qeverie, është përdorimi i sistemit arsimor për politikë. “Politizimi i të gjithë strukturës arsimore dhe përdorimi i tyre në patronazhimin politik për vota apo vendosja, siç është konstatuar në raportet ndërkombëtare, presionet mbi arsimtarët si pjesë e administratës publike, për të votuar në favor të qeverisë së Edi Ramës, sigurisht kjo ka një pasojë dërrmuese jo vetëm mbi meritokracinë dhe cilësinë e mësimdhënies, por edhe si përdoret arsimi shqiptar”.

“Në mbyllje do të them disa shifra kokëforta. Në këtë 10-vjecar, janë 110 mijë nxënës të detyrueshëm 9-vjeçar mpak. Janë 60 mijë nxënës të arsimit të mesëm më pak. Janë më shumë se 60 mijë studentë më pak, sigurisht pa llogaritur edhe ata të sistemit parashkollor. Pra është një shifër që shkon prej rreth 250 mijë nxënësish dhe studentësh në të gjithë nivelet më pak në këtë 10-vjeçar. Kjo ka një konkluzion fare të qartë, politikat shkatërrimtare, grabitqare, korruptive të qeverisë Rama, siç kanë shkatërruar çdo aspekt tjetër, po shkatërrojnë arsimin. Arsimi shpesh përdoret edhe për të grabitur fonde publike”, shtoi Bylykbashi.

 

A2 CNN Livestream

Dita jonë