Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS” do të mblidhet pasditen e sotme, në të cilën janë parashikuar 4 dëshmi. I pari do të jetë ministri i Brendshëm Taulant Balla, në orën 19:00 është thirrur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe në 20:00 është kërkuar nga prokuroria t’i jepet leje ish-drejtorit të IT Ervin Muça, që të paraqitet në komisionin hetimor për të dhënë të gjithë dëshminë e tij.
Ndërsa Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk do të dëshmojë sot në Komisionin Hetimor për të dhënat e TIMS. Dervishi ka informuar komisionin se nuk është në Shqipëri dhe e ka të pamundur që të dëshmojë. Komisioni do të vendosë datën e radhës për dëshminë e Dervishit.
Për Ervin Muçën ish-drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, dëshmia do të zhvillohet me dyer të mbyllura, kjo është një kërkesë e prokurorisë.
Ministri Balla ka kërkuar që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura. Ai i është drejtuar me një shkresë këtij komisioni, ku argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).
Balla vlerëson gjithashtu që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Në kërkesën e tij ai sjell në vëmendje gjithashtu, se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.
(A2 Televizion)