Konferenca e kryetarëve shtyu shqyrtimin e rezolutës së ideuar nga socialistët për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të reformojë kuadrin ligjor nën moton e luftës anti-korrupsion. Shkak u bë mungesa e Gazment Bardhit që pritej të jepte edhe qëndrimin zyrtar të grupit parlamentar të PD-së.
Se cila pritet të jetë qasja e Rithemelimit, duket se e la të kuptohet Oerd Bylykbashi në Komisionin e Ligjeve, që shfrytëzoi raportimin vjetor të ILDKPKI-së për të përcjellë qëndrimin.
“Ajo që unë dua të theksoj, së pari është një shqetësim që më vjen nga një dokument që është bërë tashmë publik, që është një projekt rezolutë nga maxhoranca për të ndërhyrë në një seri aspektesh, i cili ndër të tjera thotë që duhet bërë një reformon në institucioneve ligj zbatuese duke përmendur edhe deklarimi ne pasurive. Për mua është shqetësim i rëndësishëm që ndërhyrja e vazhdueshme nën emrin e reformës krijon destabilitet në institucionet e rëndësishme”, tha Bylykbashi.
Nevoja për të reformuar shtetin me qëllim luftën ndaj korrupsionit, në sytë e demokratëve nuk ka pse të kthehet në një operacion i bujshëm. Këtu Bylykbashi gjen rastin për një krahasim me punën e SPAK.
“Kështu që gjykoj që tentativat që mund të çojnë drejtë rishikimit të kompetencave, bashkimit të kompetencave në agjenci të reja, nuk i shërbejnë luftës ndaj korrupsionit, nuk i shërbejnë efikasitetit të këtij institucioni kaq të rëndësishëm”, shtoi Bylykbashi.
Projektrezoluta e socialistëve pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve kur edhe grupi parlamentar i PD-së të jetë i përfaqësuar me titullarin e tij. Kundër kësaj nisme është shprehur edhe PD-zyrtare e Lulzim Bashës, si dhe Partia e Lirisë e Ilir Metës. (A2 Televizion)