A do të ketë tensione mes Maqedonisë dhe Greqisë? Bytyçi: Davkova dha 2 mesazhe. Europianët të mos imponojnë zgjidhje

Nga A2 CNN
14 Maj 2024, 21:40 | Politikë

Ajo që po ndodh mes Maqedonisë dhe Greqisë, pas etiketimit nga presidentja e zgjedhur Gordana Davkova, e cila e quajti vendin “Maqedoni” dhe jo “Maqedoni e Veriut”, për Enver Bytyçin është aktrim. Në studion e Debatit me Alba Alishanin, ai tha se Davkova dha mesazhe për elektoratin dhe për europianët, në interes të vendit të saj.

“Unë mendoj se presidentja e RMV ka dhënë mesazhe në dy drejtime; i pari për europianët; "ka 10 vjet që ne nënshkruam marrëveshje, ju na i imponuat dhe nuk kemi bërë asnjë hap në drejtimin për të realizuar premtimet që na dhatë ju pas nënshkrimit të marrëveshjes". Kjo do të thotë se ka zhgënjim te publiku, praktikisht nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv për RMV. Në këtë aspekt  i drejtohet elektoratit të vet dhe i thotë; që unë jam që ta rishikoj një marëveshje të tillë, nëse Europa nuk lëviz për të mbajtur premtimet e veta dhe një politikan i zgjuar duhet të flasë me gjuhën e interesave të vendit të tij dhe ajo po flet”.  

Sipas tij, marrëveshja e Prespës nuk ka dhënë asnjë efekt dhe Europa duhet të nxjerrë mësime që marrëveshjet e imponuara nuk janë zgjidhje dhe zhbën vlerën e tyre.

“Ajo ishte një marrëveshje e imponuar, jo logjike. T’i imponosh të ndryshojë emrin pse një krahinë ka të njëjtin emër, thjesht se je anëtar i BE dhe ke fuqinë t’i bllokosh integrimin dhe do t’ia imponosh, ajo zgjidhje e imponuar prodhon efekte negative. Një paqe e detyruar është e përkohshme dhe çon në konflikt sërish. Europianët nuk duhet të jenë arrogantë, të imponojnë zgjidhje e marrëveshje. Mesazhet janë në disa drejtime. Me këto zgjedhje në RMV janë ndryshimi më pozitiv që ka ndodhur në Ballkan”.

Për Ilda Zhulalin, deklarata e presidentes Davkova nuk do të sjellë rritje të tensioneve me Greqinë, por është bërë për të kënaqur elektoratin në RMV.

“Mendoj që zgjedhjet në RMV janë shoqëruar me paragjykime e frikëra dhe është herët për të thënë që kemi një vatër të re tensioni. Duhet parë çfarë programi do të ketë qeveria dhe qasje që do ketë presidentja e re. Nuk është mjaftueshme për të thënë që do të kemi rritje të gjakrave, për sa kohë nuk kemi parë kontestim të marrëveshjes së Prespës dhe nuk ka projekt që do ta zhvendosë jashtë Europës. Cilado parti shqiptare përbën garanci të fortë që RMV do të vazhdojë rrugëtimin europian dhe nuk do ketë hapa prapa”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli