Tubimi i 7-të para bashkisë, Këlliçi “i vë prangat” Veliajt, protesta mbyllet me rrëzimin e gardhit

Nga Anesti Barjamemaj
14 Maj 2024, 16:24 | Politikë

Mbështetësit e opozitës si dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit protestuan para bashkisë së Tiranës edhe këtë të martë, duke shënuar javën e shtatë në të cilën përsërisin të njëjtën thirrje.

Me fokusin kryesor tek kreu i Bashkisë së Tiranës, organizatorët i kërkuan dorëheqjen Erion Veliajt teksa molotovët shpërthenin në seri tek dera e godinës.

Teksa thirrjet e tyre injorohen prej gati dy muajsh, Belind Këlliçi mori rolin e policit duke arrestuar simbolikisht kryetarin e Bashkisë, një gjest ky që vjen në 1-vjetorin e humbjes së tij në përballë Veliajt në garën e zgjedhjeve vendore.

Kjo do jetë pamja e Erion Veliajt shumë shpejt, ta dini”, tha Këlliçi.

Beteja u zhvendos kundër gardhit metalik. Pas disa përpjekjesh, protesta ia arriti qëllimit dhe rrethimi ra, por askush nuk tentoi të kapërcente përtej, duke hedhur kështu bashkë me gardhin edhe justifikimet për t’u futur brenda bashkisë.

Policia për këtë tubim ishte njoftuar se mund të zgjaste deri në mbrëmje, por suksesi i rrëzimit të gardhit, duket se mjaftoi dhe pas dy orësh protestë qytetarët u shpërndanë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos