Lapaj tregon pse nuk i bashkohet opozitës: E keqja nuk luftohet me të keqen

Nga A2 CNN
14 Maj 2024, 13:21 | Politikë

Adriatik Lapaj, nga Shqipëria Bëhet, ishte i ftuar në Ditarin e mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN, nga ku ndër të tjera komentoi edhe protestën e kësaj të marte të opozitës, para bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e Erion Veliaj.

Lapaj theksoi është e pamundur që “i gjithë zinxhiri i Bashkisë së Tiranës të jetë i përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe afera të tjera dhe kreu i institucionit të mos ketë përgjegjësi në këtë çështje”. “Shteti funksionon mbi bazë të mekanizmave. Protesta është një instrument demokratik për të tërhequr vëmendjen publike në një çështje të caktuar, por nuk është mjeti ndërmjet të cilit mund të arrihen zgjidhje të plota. Në rastin konkret është institucioni i posaçëm që është Prokuroria e Posaçme, e cila në gjykimin tim duhet ta adresojë këtë shqetësim të qytetarëve. Pavarësisht se me subjektin në fjalë kam shumë mosdakordësi, por sa i takon kësaj çështje edhe unë mendoj se është e pamundur që i gjithë zinxhiri i Bashkisë së Tiranës të jetë i përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe afera të tjera dhe kreu i institucionit të mos ketë përgjegjësi në këtë çështje". 

Por pse Adriatik Lapaj nuk i bashkohet kësaj proteste? “Unë protestoj në mënyra të ndryshme, por e keqja nuk mundet me të keqen. Shqipëria ka shkuar për drejt sepse e kemi sjell Berishën për inat të Nanos, hoqëm Nanon dhe sollëm Berishën, pastaj hoqëm Berishën dhe për inat të Berishës sollëm Ramën dhe tani për inat të këtij duhet të sjellim dikë tjetër. Unë mendoj se duhet të funksionojë mbi alternativë dhe jo mbi inat. Ne nuk mund të bashkëpunojmë me subjekte, që mendojmë se e kanë vjedhur Shqipërinë njësoj si këta që e vjedhin sot. Për pasojë, nuk mund ta luftosh të keqen me një të keqe. E keqja duhet të luftohet me një të mirë. Kjo na ndan. Nuk mund të rreshtohem në krah me njerëz që janë ose perceptohen nga publiku si të korruptuar”, tha Lapaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos