“Brezi i dytë dhe i tretë i shqiptarëve në Greqi mund të asimilohen!” Gjiknuri: Lëvizja e Ramës qëllim që të mos ndodhë

Nga A2 CNN
13 Maj 2024, 22:14 | Politikë

“Brezi i dytë dhe i tretë në Greqi ka rrezik të asimilohet. Asimilimi është të humbësh origjinën, të zhduket identiteti kombëtar. Mund të jetë një gjë e mirë se s’do të kishim më probleme. Ideja që nëse ne e shohim komuniteti shqiptar aty totalisht të asimiluar dhe mundësisht të mos flasin as shqip dhe këtej do të thoshim shyqyr... Kjo është një pyetje retorike”.

Kështu u shpreh Damian Gjiknuri, deputeti i PS-së, i ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, ndërsa shtoi se takimi i Ramës ka pasur synim që kjo të mos ndodhë.

“Edhe lëvizja e Ramës duhet parë edhe në këtë pikëpamje edhe integrimi me interesat e Shqipërisë, edhe integrimi me interesat e kësaj pjese të Shqipërisë ndikon dhe ky takim e ka çimentuar këtë edhe më shumë. A i arriti të gjitha qëllimet? Nuk po them jo. Ka ardhur koha që politika legale duhet të ulet me palën shqiptare. Mesazhi ishte që të mos na lini të krijojmë ndarje për çështjet e përbashkëta. Lider i fortë është ai që shpërfill edhe presionet e brendshme për të arritur një interes më të lartë kombëtar”, tha Gjiknuri.

Më tej, ai theksoi se mesazhet e Ramës nuk ishin nacionaliste, por të përulura, të pranosh udhëtimin tënd me të gjitha dritëhijet.

Ndërkohë, ai u shpreh se takimi është edhe politik, ndërsa theksoi se kryeministri Rama ka tentuar disa herë të dialogojë me Greqinë për çështjen Beleri, por kjo nuk është arritur. “Është momentumi, se ky është edhe takim politik. Ka edhe një çështje me Greqinë. Aty u fol edhe për angazhime konkrete, angazhime u morën, por këto nuk zgjidhen vetëm, duan edhe angazhimin e qeverisë greke. Në fakt, ka një ngërç mes marrëdhënieve me qeverinë greke, elefantin e kemi në dhomë, është çështja e Belerit. Kryeministri ka dashur të dialogojë me qeverinë greke, ka qenë qeveria greke... për ato arsye që ajo ka gjykuar, qoftë për politik të brendshme sepse dhe ata kanë rrymat e tyre më nacionaliste. Ama kryeministri Rama ka dashur, por nuk ka gjetur mënyrë për të dialoguar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos