Bashkimi i Europian i vendos vijat e kuqe Edi Ramës, sa i përket planit për ngritjen e një super-komisioni parlamentar, që mes të tjerash do të prekte edhe drejtësinë.
Në një përgjigje për A2 CNN, mbi vullnetin e shumicës për një paketë të re ligjore me fokus luftën ndaj korrupsionit, Delegacioni i BE-së në Tiranë nënvizon se reforma e vitit 2016 është një proces i pakthyeshëm, dhe si e tillë, çdo ndryshim që kërkohet duhet të bazohet në prova.
“Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016. Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës.”
Për reformimin ne legjislacionit shqiptar është parashikuar ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar, proces për të cilin BE-ja thotë se duhen mbajtur në konsideratë gjetjet e shqyrtimit analitik të legjislacionit në kuadër të integrimit europian.
“Ne theksojmë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.”
Realizimi i këtij procesi, shoqëruar edhe me deklaratat e Ramës për një nismë të re për të luftuar korrupsionin, për BE-në duhet të bëhet nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës, duke e cilësuar këtë si një kusht kyç
“Kjo është një nismë e qeverisë shqiptare, e cila ka njoftuar se objektivi i saj është të përshpejtojë progresin e Shqipërisë drejt luftës kundër korrupsionit, të forcojë qeverisjen e mirë dhe të konsolidojë më tej reformën në drejtësi, të cilat janë aspekte kyçe të negociatave të anëtarësimit. Gjithëpërfshirja është një kusht kyç.”
Nisma e shumicës parlamentare në parim u mirëprit edhe nga Ambasada Amerikane e cila Javën e shkuar përgëzoi përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme. (A2 Televizion)