Rama në mediat greke, mesazhet e takimit në Athinë kryefjalë e analizave politike

Nga Ervin Koçi
13 Maj 2024, 14:44 | Politikë

Orët e Edi Ramës në Athinë kanë zaptuar titujt kryesorë të mediave greke. Mesazhet e fjalimit patriotik të kryeministrit shqiptar janë analizuar një e nga një, duke i dhënë një lexim të tyre.

Gazeta “Ta Nea” ka bërë një analizë të veprimeve të Edi Ramës, duke e cilësuar atë si një tentativë për t’i dhënë Shqipërisë një rol udhëheqësi në Ballkanin Perëndimor, duke e shoqëruar me pyetjen nëse do të mund t’ia dalë: “Në këtë sfond, nën drejtimin e Ramës, Tirana vjen për t'u paraqitur – me disa përjashtime, në lidhje me ndjekjet specifike – dhe si faktor stabiliteti në Ballkan dhe jo “djali i keq” që ishte disa vite më parë, kur mendohej se po nxisnin tensione në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe gjetkë, përmes pakicave shqiptare. Nuk është rastësi, për më tepër, që Rama arriti të ketë një marrëdhënie të mirë edhe me Vuçiçin, edhe pse në teori ai kryeson konkurrentin e madh të Shqipërisë në rajon”.

Shkrimi vijon më tej duke analizuar miqësinë e Ramës me Vuçiçin, Melonin, Erdoganin, madje edhe me Uashingtonin e Brukselin, duke i cilësuar këto si pika të forta të kryeministrit shqiptar për të arritur rezultatet e tij: “Nuk ka dyshim se ambiciet e Ramës shkojnë shumë më tej. Ish-basketbollisti, kryeministri shumëgjuhësh dhe kozmopolit nuk e fsheh faktin se kërkon ta shndërrojë Shqipërinë nga një krahasues në një protagoniste të zhvillimeve në zonën e saj jetike, në Ballkan”.

Krahas komenteve mediatike, ishin edhe ato politike. Ministri i Shtetit grek, Makis Voridis, e sheh vizitën e Ramës si tentativë për të dëmtuar Mitsotakisin në zgjedhjet parlamentare, duke e lidhur me kandidimin e Belerit: “Ndoshta, qëllimi i tij, edhe pse nuk e di dhe ai vetë e mohon, ka qenë një lloj reagimi ndaj vendimit të Demokracisë së Re për të përfshirë në fletëvotimet e saj Fredi Belerin. Nëse prezenca e zotit Rama ndikon në ndonjë drejtim, është në drejtim të votimit pozitiv të Belerit”.

Analizat greke për kreun e qeverisë shqiptare duket se do të vijojnë ende, aq më shumë kur katalizatori i ngrirjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Alfred Beleri, vijon të jetë i preferuari i politikës së Athinës, pavarësisht vendimeve të institucioneve të Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos