I gjithë fjalimi i tij përpara emigrantëve shqiptarë në Athinë, për kryeministrin Edi Rama nuk ka pasur aspak lidhje me Fredi Belerin, i cili sot është pas hekurave. I pyetur nga mediat greke pas takimit, Rama ka thënë se kjo është një çështje që “po e tjerr politika greke”. Kreu i qeverisë shqiptare, e ka theksuar edhe në dalje të tjera publike se Beleri është vënë në pranga për shkak të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe se tashmë do të përballet me drejtësinë.
“Nuk ka çështje të tillë, nuk është histori për ne. Kjo është histori e politikës greke. Nuk është historia jonë dhe nuk ka të bëjë me ne”, tha Rama.
Ai vuri edhe njëherë theksin te raportet e mira Greqi-Shqipëri, për të mirën e dy vendeve.
“Shpresoj se do të arrijmë të bëjmë diçka që përputhet me marrëdhëniet fantastike mes njerëzve të zakonshëm të Greqisë dhe Shqipërisë. Ata meritojnë më mirë dhe ne duhet t’u japim politika shumë të ndryshme”, ka thënë ai.
Dje ishte takimi i Ramës me emigrantët në Greqi ku përcolli mesazhe të forta. Greqia e ka cilësuar si një takim provokues për shkak se përkonte me 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, mirëpo për qeverinë shqiptare një fakt i tillë nuk qëndon. Rama u kujdes të theksonte se në Shqipëri asnjë anëtar i asnjë minoriteti nuk ka pasur asnjë problem për shkak të origjinës së tij. Ndalur te problemi i pronave, pas akuzave se po vidhen pronat e grekëve në Himarë, Rama iu përgjigj duke thënë se ky është një hall i gjithë shqiptarëve, jo vetëm i pjesëtarëve të këtij komuniteti. (A2 Televizion)