“Ne me sllavët e me grekët, me të gjithë fqinjët tanë, duam të rrojmë ngaherë me harmoni, si vëllezër, veç e drejta e secilit gjithnjë të respektohet”... me vargjet e të madhit Naim Frashëri, të shkruara në gjuhën greke, kryeministri Edi Rama zgjodhi që t’ia përcillte si mesazh, homologut, apo mikut të tij, siç ai e quajti, Kyriakos Mitsotakis. Në pamundësi për ta takuar sot, për shkak se Athina zyrtare e ka quajtur provokim takimin e tij me emigrantët në Greqi, Rama i dërgoi të fala, nga ai vetë, por edhe nga shqiptarët e pranishëm në pallatin e sportit “Galatsi”, në Athinë.
“Po i lë një pusull mikut tim, i dashur në 1886 poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkruajti në Greqisht vjershën e tij, dëshira e vërtetë e shqiptarëve “
“Ne me sllavët e me grekët, me të gjithë fqinjët tanë,
Duam të rrojmë ngaherë me harmoni, si vëllezër,
Veç e drejta e secilit gjithënjë të respektohet”,.....shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”, tha Rama.
Në më shumë se 60 minuta fjalim para emigrantëve në Athinë, kreu i qeverisë shqiptare përcolli mesazhe të forta për Greqinë. Teksa takimin e tij, Athina zyrtare "nuk e ka parë me sy të mirë", pasi vjen në 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, (12 maj 2023) Rama nuk nguroi që t’u kthente përgjigje, ndonëse pa përmendur emra. Ai vuri theksin se Shqipëria është një vend i cili asnjëherë nuk i ka shkelur asnjë të drejtë anëtarëve të asnjë minoriteti.
“Ama kurrë asnjë rast një grek etnik në shqiptarinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij, kurrë. Në asnjë rast grekëve etnik nuk i është mohuar e drejta e tyre e besimit, e gjuhës, e pronës, kurrë. Asnjëherë në asnjë rast, qytetarëve grek të Shqipërisë nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes”, tha Rama.
Gjithashtu, mes akuzave të vjedhjes së pronave të minoritetit grek në Himarë, kreu i qeverisë shqiptare u kujdes të theksonte se ky nuk është një problem që po përballet vetëm ky minoritet, por është hall i gjithë shqiptarëve.
“Nuk i është mohuar as e drejta e pronës. Prona është një problem për shqiptarët e Shqipërisë dhe jo vetëm për grekët në Shqipëri”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
I rrethuar me rreth 6000 shqiptarë, të cilët në duar valëvisnin flamurin kuqezi, Rama i kërkoi Greqisë shfuqizimin e ligjit të luftës, duke e konsideruar si një absurd, që duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt.
"Po si ka mundësi mes 2 shteteve që kanë nënshkruan një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të shfuqizuar 84 vite më parë. Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona, gjithashtu jemi përpjekur që t’i adresojmë sa më drejtë, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes 2 shteteve sepse unë jam i bindur se nëse kanë vullnet të mirë të gjitha çështjet mund të zgjidhen pa kaluar 84 vite të tjera”, shtoi shefi i kabinetit qeveritar.
Përtej mesazheve politike, Rama u dha shqiptarëve atje edhe lajmin e mirë se qeveria ka arritur të çelë negociatat për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë si edhe nisjen e dialogut për lejen e qëndrimit dhe lejet e drejtimit.
“Më në fund me qeverinë aktuale, se me ato më përpara, as bëhej fjalë, kemi çelur negociata në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë, ndërsa deri dje nuk kishte asnjë dritë në fund të tunelit. Ajo marrëveshje me Italinë dhe kjo me Greqinë, janë dy marrëveshjet më komplekse për shkak të peshës që kanë. Po ashtu dhe besoj se kjo ju intereson shumë, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik, për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe për procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim. Ka goxha progres dhe unë jam besimplotë se shumë shpejt, ju do të merrni lajme shumë të mira”, shtoi ai duke theksuar se është i bindur që shumë shpejt do jepet një zgjidhje.
Rama mbërriti në Athinë pak pas orës 11 të mëngjesit i shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe disa ministra e zv.ministra. Ndonëse në takim nuk kishte asnjë përfaqësues nga Greqia, sipas mediave greke, shteti fqinj i kishte vënë në dispozicion efektivë policie dhe një automjet të blinduar për sigurinë e tij. Takimi nisi me këngë dhe valle, me performancën e artistëve Noizy dhe Era Rusi, teksa pas fjalimeve në Pallatin e Sportit, Rama do të takojë socialistë të degës së Athinës, ku do të shpërndajë dhe kartat e reja të anëtarësisë.
Në fund, një përulje dhe një kërkesë faljeje…
Me këtë takim nis turi i kryeministrit Edi Rama me diasporën shqiptare. Pas Athinës, kryeministri do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët atje.
(A2 Televizion)