Mesazhe të forta për Athinën zyrtare dhe mbështetëse për emigrantët, Rama i emocionuar nga pritja

Nga Fjorela Beleshi
13 Maj 2024, 11:36 | Politikë

Athina u vesh kuqezi me patriotë dhe anëtarë të PS-së për të pritur Kryeministrin e Shqipërisë në stadiumin Galatsi. Edi Ramës iu dha mundësia që t’i fliste Greqisë për emigrantët shqiptarë të cilët sot janë faktor në shtetin helen.

Me një fjalim të shkruar nga vetë ai, kryeministri shqiptar i përmendi Greqisë jo vetëm vuajtjet e emigrantëve, por i solli në rikujtesë Athinës zyrtare Çamërinë, edhe pse pa e përmendur me emër. Ligji i Luftës nuk duhet të ekzistojë, por Edi Rama e di që kjo kërkon diplomaci jo të heshtur.

Me shqiptarët përballë, solli në Athinë edhe të drejtat që gëzon minoriteti grek në Shqipëri. Me emër nuk e përmendi Fredi Belerin, por e përfshiu në mesazhin që “asgjë nuk ndodh në Shqipëri vetëm se je grek”.

Mungesa e komunikimit ndërmjet dy kryeministrave, e detyroi Edi Ramëm që t’i fliste Kiriako Mitsotakisit nëpërmjet Naim Frashërit: “I dashur Kiriakos, në vitin 1886, poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkruajti në greqisht vjershën e tij “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. Duam me të gjithë fqinjët, sllavë dhe grekë, të jetojmë në harmoni, në vëllazërim, me rend dhe paqe të jetojmë; le të mos bëhemi armiq dhe të mos zihemi; është koha e mirëqenies, është koha e lirisë; shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”.

Me një përmbyllje të formatit “one man show”, Edi Rama u përkul në shenjë respekti dhe emocioni ndaj shqiptarëve, të cilët ia bënë këtë takim vizitën më të bukur në Athinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos