Sali Berisha akuzoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin, se po përpiqet të mbyllë çështjen që lidhet me marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-zyrtarit të FBI nën akuzë, Charles Mcgonigal.
Duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në prtestën e paralajmëruar për të hënën, para Parlamentit, Berisha tha: “Sot kryeministri i vendit është zyrtari më i damkosur në Europë sepse është kapur në flagrancë nga drejtësia e SHBA se ka korruptuar zyrtarin më të lartë të zbulimit të këtij vendi.
Gjithë njerëzit e ndershëm në SHBA, në Europë dhe kudo, presin përgjigjen tonë. Askush të mos mendojë se Dumani do të hetojë, përkundrazi Dumani është bashkautor me mbrojtjen që i bën në të gjitha krimet Edi Ramës. Të dashur miq, para dy javësh deklaroi se po heton skandalin McGonigal, e vërteta është se po bën gjithçka të mbyllë superskandalin e shekullit. Asnjë nga ata që kanë denoncuar publikisht gjobëvënësit Edi Rama-McGonigal-Duçka e Neza e kompani, nuk janë thirrur për t’u pyetur. Skapi nuk do dëshmitarë kundër Edi Ramës. Skapi nuk do dëshmitarë kundër Erion Veliajt”, tha Berisha nga dritarja e banesës së tij, ku po qëndron për shkak të një mase sigurie “arrest në shtëpi” të dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Në dhjetor të vitit të kaluar, McGonigal u dënua me mbi 4 vite burg pasi u shpall fajtor se ka ndihmuar një oligark rus që të përgjojë kundërshtarin e tij. Ai është një prej zyrtarëve më të lartë në historinë e FBI që akuzohet për një vepër penale.
Ai gjithashtu akuzohet se ka mbajtur të fshehtë një pagesë prej 225 mijë dollarësh, të marrë në vitin 2017 nga një ish-agjent i shërbimeve sekrete shqiptare, Agron Neza, ndërsa ishte ende i punësuar në FBI. McGonigal pretendon se paratë ishin pjesë e një huaje që ka marrë për biznes. Sipas prokurorëve federalë ai duhet ta kishte deklaruar pagesën. Seanca gjyqësore për këtë rast është caktuar të mbahet gjatë muajit shkurt.
McGonigal dhe kryeministri Rama janë takuar në Shqipëri dhe opozita akuzon Ramën se këto para i janë dhënë agjentit për të inskenuar një pagesë me para ruse për lobim të Partisë Demokratike në SHBA. Për këtë akuzë, Gazment Bardhi ka bërë kallëzim dhe SPAK ka marrë në pyetje zotin Neza. (A2 Televizion)