Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha tha se PD është kërcënimi kryesor për qeverinë për ta rrëzuar nga pushteti.
Ndërsa teksa solli në vëmendje deklaratat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj mbrëmjen e djeshme, tha se SPAK-u është shpresa e vetme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
“Kërcënimi i dytë u vjen nga SPAK-u. Po të numërosh sulmet ndaj PD rivalizojnë vetëm me SPAK-un. Mbrëmë dhe sot e kuptuam pse duan me cdo kusht ta kenë SPAK-un nën kontroll, me hir ose pahir. Sepse janë të zhytur të gjithë. Por gjithsesi është ndryshe ta dëgjosh nga goja e 2-it që tregon me gisht 1-in. SPAK-u është shpresa e vetme e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nuk është perfekt, por është e vetmja shpresë ndaj duan ta mbysin ose ta kthejnë në një tjetër dele në vathën ku duan të fusin delet e tjera. Nuk do ia dalin, sepse në këtë betejë kemi në krah ata që nuk na lanë 34 vite më parë si kopshti zoologjik i Europës, kemi në krah SHBA-të dhe vendet e tjera të perëndimit që na mirëpresin në gjirin e tyre por vetëm mbi standardet që kanë ndërtuar shoqëritë e tyre”- tha Basha.
Ai vijoi më tej duke thënë se, PD po punon për hartimin e një programi për qeverisjen e vendit, ndërsa mbledhja e sotme bëhet në kuadër të ristrukturimit të degëve nr.8 dhe nr.2 në kryeqytet. (A2 Televizion)