Rrëfimi i Arben Ahmetajt pas 6 muajsh në arrati, për opozitën është një arsye më shumë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Luçiano Boçi në një deklaratë nga selia blu pohoi se rrëfimi i ish-numrit dy të qeverisë është faktim i akuzave të bëra nga opozita ndër vite.
“Shqiptarët kanë dëgjuar nga vetë ish-krahu i djathtë i Edi Ramës se koka i aferës korruptive të inceneratorëve është vetë Edi Rama, ndërsa pronari faktik i inceneratorit të Tiranës është Erion Veliaj, duke vërtetuar kështu akuzat e ngritura me fakte nga Partia Demokratike. Arben Ahmetaj faktoi se mbrojtësit kryesorë të vjedhjes së shekullit janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe skapistët e tjerë”, tha Boçi.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha me anë të një postimi në mediat sociale kërkon që të vihen paradrejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me inceneratorët.
“Është e qartë se këta operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin. Njëri del në dosje me krimin, tjetri në pazare korrupsioni, tjetri kanabizon Shqipërinë. Tani e pranojnë vetë dhe të gjithë tregojnë me gisht Edi Ramën. Kudo tjetër kryeministri do të ishte dorëhequr, por në rastin e tij sa më i madh abuzimi aq më e madhe arroganca. Se çfarë bëjnë me njëri-tjetrin, kokat hëngshin, por çfarë shqetëson shqiptarët është se ata të gjithë bashkë nuk kanë ngrënë kumbulla e dardha, por paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar me pasuritë e tyre”, u shpreh Basha.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili duke cituar Arben Ahmetajn akuzon Edi Ramën për kanabizimin e vendit.
“Dëshmia e Ahmetajt i vë vulën kryeproblemit dhe kryedramës së Shqipërisë atij të kanabizimit të vendit dhe kriminalizimit të pushtetit të Ramës, që gjallon mbi drogën. Edi Rama me ndërgjegje të plotë dhe me synime e objektiva të përcaktuara ka mbështetur e lejuar mbulimin e vendit nga kanabisi dhe kthimin e Shqipërisë në parajsën e trafikantëve dhe kriminelëve”, u shpreh Vasili.
Për Vasilin kanabizimi ka qenë strategji, pasi sipas tij paratë e drogës janë përdorur dhe për të blerë zgjedhjet.
(A2 Televizion)