“Amnistia të mos kthehet në pazar të gjësë së gjallë”, Basha tregon mënyrën si mund të votojë pro

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2024, 12:02 | Politikë

Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp, ku reagoi edhe njëherë për çështjen e amnistisë penale, e cila u tërhoq nga rendi i ditës në Kuvend dhe nuk u miratua.

Basha deklaroi se shpreson që amnistia të mos shndërrohet në një pazar për të tentuar për të blerë vota nga radhët e opozitës, teksa shtoi se grupi i tij mund të votojë pro saj nëse hiqen propozimet nga të cilat përfitojnë zyrtarët e dënuar nga SPAK dhe në falje përfshihen dhe protestuesit e arrestuar në protestat e mëparshme opozitare.

“Edhe këtë të enjte aktet qeveritare u miratuan për 8 minuta dhe u bllokua çdo hapësirë për opozitën për të bërë detyrën e saj për transparencën dhe gozhdimin e aferave qeveritare. Pas seancës, dëgjuam një deklarim të qeverisë se përse u tërhoq amnistia nga rendi i ditës. Shpresoj të ketë qenë pjesë e gënjeshtrave dhe që nuk do ta shndërrojnë amnistinë në pazar të gjësë së gjallë për të peshkuar vota. Nëse vërtetë duan të kenë një përqasje humanitare për amnistinë, rruga është e thjeshtë. Së pari të hiqen propozimet për të përfituar zyrtarët e korruptuar dhe së dyti në amnisti të përfshihen ata që zvarriten gjyqeve si protestuesit e Astirit, Bregut të Lumit, që u ngritën në protesta për të mbrojtur pronën e tyre, por dhe atyre që protestuan kundër vjedhjes së zgjedhjeve. Këtë e kemi si kusht dhe nuk ka tërheqje. Ky është qëndrimi ynë”, tha Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos