Bardhi: Votat e PDIU-së për marrëveshjen Rama-Meloni, jo divorc me opozitën! Pyesni Bashën pse mungoi sot

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2024, 10:48 | Politikë

Votat e bashkuara të PDIU-së me mazhorancën për marrëveshjen e emigrantëve, për Gazment Bardhin nuk ka “tronditur themelet” e bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Në një dalje për mediat në përfundim të seancës plenare, Bardhi tha se ky nuk është një divorc i PDIU-së me opozitën.

“Votat e PDIU-së për marrëveshjen, jo divorc me opozitën. Një parti parlamentare në momente të caktuara mund të marrë vendime të caktuara. Ka pasur një shpjegim dhe nuk kam asgjë për të shtuar në këtë çështje, nuk ndikon në aftësinë për të qenë apo mos të qenë në opozitë”, tha Bardhi.

Ai u ndal edhe te heqja nga agjenda e Amnistisë Penale, ku ndonëse Lulzim Basha nuk i bashkoi votat me mazhorancën, kjo nuk ka thyer akullin me pjesën tjetër të PD-së.

“Ishte sot në Kuvend? Jo. Nuk e besoj teorinë e gjumit. Pyesni Bashën pse mungoi sot”, u shpreh ai.

Në fund, pati dhe një koment për seancën e sotme, ku u miratuan ligji për zonat e mbrojtura dhe marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët. Për Bardhin, asnjë prej këtyre marrëveshjeje nuk është në të mirë të qytetarëve.

“Ju e patë në rendin e ditës nuk kishte asgjë të mirë për qytetarët, por për ligje me porosi në dobi të një grushti njerëzisht, për shkak se nuk arritën pazaret e tyre hoqën dhe Amnistinë Penale, nga një ligj humanitar ku duhet të përfitonin qytetarët e zakonshëm në burg, e shndërruan në një ligj për të amnistuar zyrtarë të korruptuar. Tentuan dhe të mashtronin opinionin publik, duke iu faturuar opozitës. Ligji i dytë i miratuar ishte i turpshëm për emigrantët, kjo marrëveshje tejkalon pritshmëritë e qytetarëve për marrëdhënien e mirë me Italinë sepse cenon sigurinë kombëtare dhe i treti ishte ligji i zonave të mbrojtura, pasi planifikohen që të nxirren në treg pasuritë kombëtare”, tha Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos