Reagimi i kryeministrit Edi Rama mëngjesin e sotëm, teksa humbi durimin kur iu ndërpre lidhja live në Instagram, ka sjellë edhe qëndrimin e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se kreu i qeverisë është trembur deri në palcë nga arrestimi i Veliajt dhe po bën gjithçka për të treguar se nuk ka gisht në këtë aferë. Sipas tij reagimi i Ramës nuk është risi.
“Unë e pashë sot Edi Ramën siç e patë ju, kur i erdhi në gojë fjala e konsulentit, që këtë e quante punëtor i Trump, shkallmoi dhe e humbi dhe iu kthye me grushte tavolinës. E vetmja gjë që thashë në atë moment, shyqyr Zotit nuk ka ndonjë grua aty që të hajë grushtet e tij. I hëngri ato grushte tavolina, po mirë e boll, i bëfshin mirë se po të ishte ndonjë ministre a ndonjë tjetër, kushedi se çfarë do ndodhte. Këto gjeste të tij janë të njohura, nuk janë risi. Edi Rama, pas arrestimit të numrit 2 të PS-së, bëri gjithçka nga njëra anë i terrorizuar dhe i trembur gjer në palcë nga Erion Veliaj, të tregojë se është duarjashtë në këtë aferë, se nuk ka gisht në këtë aferë. Po këtu të ndalemi pak. Nuk kishte hallin e Erion Veliajt, kishte hallin e tij”.
Duke folur me emra të përveçëm, Berisha solli në vëmendje edhe deklaratat e ish-numrit dy të qeverisë Arben Ahmetaj si edhe kallëzimet për lejet e ndërtimit, udhëtimet dhe seancat e detoksit të kryeministrit.
“Sepse ky prokuror që guxoi të kërkojë arrestimin e Erion Veliajt dhe ky gjykatës që vendosi për arrestimin e tij, këta litarin në shtëpinë e të varurit ia çuan në Surrel. Po, sepse për leje ndërtimi, Edi Rama me favore, i ka tërkuzë. Merrni ju atë Ujkën që u tha së fundmi, që i pagoi takimin në Milano, leje kulle ai. Merrni ju sponsorin e 12 udhëtimeve me çarter që i denoncoi Arben Ahmetaj. Leje ndërtimi të gjitha. Merrni ju seancat e detoksit, 10 mijë euro seanca e detoksit e paguar nga biznesmeni që ndërton në mes të parkut Rinia. Vilat aty i ka Alketa. Bashkëshorti i Alketës. Plus lejet e tjera të ndërtimit. Nuk di shtëpi tjetër në mes të parkut përveç shtëpisë së saj. Shkoni dhe shihjani se aty e ka. Si mund të ndodhë apo jo? Plus që ky ka marrë leje ndërtimi në të katër anët. Mirëpo nuk janë vetëm këto. Tani t’u pyes unë ju dhe qytetarët, nëse Sali Berisha do deklaronte sot, të dashur qytetarë, Velica ka shpenzuar 1 milion euro garderobë, iu garantoj se as 0.1 përqind nuk do e besonte, do deklaronin se ky po bën shaka. Ose ky po e ekzagjeron. Ta dinë qytetarët se për këto 1 milion, prokuroria ka gjetur të gjitha faturat për rrobat që ka blerë Velica, e cila paska qenë.... pak të thuash. Një shqiptare që shkon e blen mbi 1 milion euro. Dhe përveç kësaj, atëherë çfarë ndodh me Edi Ramën? Edi Rama tmerrohet se në qoftë se flitet për 1 milion aty, atje në Surrel sa janë këto miliona? Ndaj dhe bëri gjithçka për të treguar se është dorëjashtë, në mënyrë që Erion Veliaj të mos i kthehet më këto gjëra”. (A2 Televizion)