Basha: Prona publike do u jepen personave Non Grata! Do e çojmë ligjin në SPAK

Nga A2 CNN
17 Maj 2024, 11:35 | Politikë

Partia Demokratike ka paralajmëruar padi në SPAK për ligjin e pronave që u miratua dje në Kuvend, ndërsa nuk e përjashtoi edhe dërgimin në Kushtetuese të ndryshimeve ligjore nëse do të ketë elementë antikushtetues.

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se ky ligj, ku pronat shtetërore do të mund të shkëmbehen me ato private të bizneseve të ndryshme, është me porosi nga mafia. Sipas tij, me anë të këtij ligji, qeveria po u jep prona publike personave “Non Grata” dhe oligarkëve që bashkëpunojnë me politikanë të korruptuar.

Ai theksoi se kjo është aferë e njëjtë me atë të Inceneratorëve.

“Akti i rëndë i formalizuar dje në Kuvend për kalimin e pronave publike në funksion të një skeme të mirëkonsoliduar të kësaj qeverie në bashkëpunim me mafian e pronave dhe të ashtuquajtur investitorë strategjikë, është e njëjta skemë si ajo e inceneratorëve, ligj me porosi apo vjedhje me ligj. Pra disa javësh, tha se do ishte një transferim nga një ministri në tjetrën, u futën dispozita ligjore që përmes tjetërsimit të formave të ndryshme, pronave publike të vihen në dispozicion të transaksioneve të caktuara, në këtë mënyrë prona me vlerë në qendër të Tiranës do vihen në dispozicion të personave të shpallur Non Grata, pikërisht për shkak të korrupsionit dhe pjesëmarrjes së tyre në krim të organizuar dhe ndikim të paligjshëm në procese zgjedhore. Të tjera prona do të vihen në dispozicion të oligarkëve në bregdet që po ndërtojnë pa asnjë transparencë, duke pastruar paratë e korrupsionit të qeveritarëve.

PD-ja do e çojë këtë çështje në çdo instancë ligjore, kushtetuese dhe penale për të pamundësuar që mafia e pronave dhe bashkëpunimi mes oligarkëve dhe deputetëve të korruptuar të shkaktojë këtë dramë”, tha Basha.

Duke u ndalur në zhvillime konkrete, ai përmendi rastin e Institutit Albanologjik në qendër të Tiranës, sipas së cilit do i jepet personave “Non Grata”.

“I kanë vënë sytë Institutit Albanologjik në qendër të Tiranës, megjithatë ne po bëjmë analizën e plotë dhe në momentin e plotë që do të kemi diçka që do jetë përtej dyshimit dhe do e çojmë në SPAK”, përfundoi Basha.

Pronat shtetërore do të mund të shkëmbehen me ato private të bizneseve të ndryshme. Kuvendi miratoi dje me 68 vota pro, 2 abstenim dhe 21 kundër, projektligjin për ndryshimin e aktit normativ për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta. Opozita e ka quajtur klientelizim dhe korrupsion.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi