Berisha në arrest shtëpie, Bardhi i del në mbrojtje: Përndjekje politike e opozitës, Shqipëria si Rusia

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2023, 18:49 | Politikë

Berisha në arrest shtëpie, Bardhi i del në mbrojtje:

Gazment Bardhi, i cili tashmë është pozicionuar në krah të grupimit të Sali Berishës, e ka konsideruar arrestimin e këtij të fundit, si një tregues i qartë i një përndjekje politikë të opozitës. Në reagimin e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike e ka konsideruar padrejtësi caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” e aq më tepër ndalimin e komunikimit, pasi sipas tij, Berishës po i pezullohet e drejta për të ushtruar funksionin e tij.

Njësoj si Berisha më herët, edhe Bardhi i ka lexuar këto zhvillime si të njëjta me atë që po ndodhnin në Rusinë  e Vladimir Putinit, duke thënë se ky vendim e largon Shqipërinë nga Bashkimi Europian.

“Tejkalimi i nevojës, veprimeve të arsyeshme dhe abuzimi me masat shtrënguese kthehet vetvetiu në padrejtësi. Opozita vërtetë nuk ka betejë me drejtësinë, por e kundërta e kësaj duhet të jetë edhe më e zëshme: drejtësia nuk mund të ketë betejë, përtej asaj që dikton ligji, me opozitën.

E në këtë drejtim, një deputeti nuk mund ti pezullohet ushtrimi i funksionit, që defacto arrihet nëse atij i ndalohet kumunikimi dhe përmbushja e veprimtarisë politik qoftë edhe në kushte izolimi, sepse këtë nuk e lejon shprehimisht ligji.

Abuzimi me ligjin në këtë rast, duke izoluar Sali Berishën në kushte që nuk aplikohen as për të burgosurit, është qartazi i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe një tejkalim që lë shijen e përndjekjes politike ndaj opozitës.

Përndjekja politike ndaj opozitës do ta rradhiste Shqipërinë krah Rusisë, dhe jo krah vendeve të NATO-s apo BE-së. Në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, cilido mund të hetohet dhe nëse rezulton i fajshëm të dënohet.

Por në një vend anëtar të NATO-s, në një vend kandidat për anëtar të BE-së, askush nuk mund të përndiqet politikisht, askush nuk duhet të trajtohet përtej standarteve që lejon ligji dhe janë të nevojshme në një shoqëri me drejtësi dhe barazi. Abuzimi, tejkalimi dhe mungesa e arsyes janë gjithmonë PADREJTËSI”, tha Bardhi.

Ky reagim vjen pas vendimitë GJKKO, për masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës dhe ndalim të komunikimit me persona të tjerë, me të cilët ai nuk bashkëjeton. Për Rithemelimin, kjo masë nuk do e ndalë Berishën, e ndërsa për kryeministri Edi Rama tha se nuk e konsideron si një fitore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos