Berisha pas vulës kërkon bashkimin, mesazh deputetëve të Bashës: Kthehuni në shtëpi!

Nga A2 CNN
12 Qershor 2024, 20:37 | Politikë

Berisha pas vulës kërkon bashkimin, mesazh deputetëve të

Vendimi i Gjykatës së Apelit për t’i kaluar vulën e Partisë Demokratike, për Sali Berishën përcjell vetëm një mesazh, dhe ai ka të bëjë me bashkimin e demokratëve.

Nga ballkoni i banesës ku qëndron në arrest shtëpie prej dhjetorit, Berisha ka ripërsëritur thirrjen për bashkim, duke ia adresuar drejtpërdrejtë deputetëve që deri dje përfaqësoheshin, në atë që njihej si PD zyrtare, e drejtuar nga Lulzim Basha.

“Dje theksova dhe sot në emër tuaj dua të ritheksoj edhe njëherë se mesazhi i kësaj arritje është një dhe vetëm një. Është bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi. Miqtë e mi, është bashkimi dhe vetëm bashkimi sepse betejën vendimtare, fitoren vendimtare e kemi përpara për ta arritur. Dhe kjo kërkon kontributin e çdo demokrati dhe demokrateje. Ndaj dhe edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokrateve dhe demokratëve që ndjejnë shpirtin e tyre të pastër, të cilët për një arsye apo për një tjetër, kanë mbajtur qëndrime të tjera, të bashkohen. Të bashkohen me ne! Të kthehen në shtëpinë e tyre. Bashkimi në diversitet është tipari që fitoi Partia Demokratike pas Rithemelimit. Asgjë nuk mund të ndajë demokratë e betuar për të qenë opozitë e vërtetë. Deputetëve të PD që akoma nuk janë në grupin tonë, thirrja më miqësore, vendi juaj është tek elektorati i PD.”

Në mesazhin e tij Berisha u kërkon këtyre ligjvënësve që të mos harrojnë “se me këtë logo, me këtë flamur”, kanë bërë të gjithë fushatën në vitin 2021, nga e cila iu besua përfaqësimi i demokratëve në Parlament.

Ish-kryeministri bën po ashtu thirrje që çdo ndasi që ka shoqëruar odisenë 3 vjeçare të përplasjes mes vetë demokratëve të hidhet pas shpine dhe beteja e vetme të bëhet për të mposhtur Edi Ramën në zgjedhjet e 2025.

“Dhjetëra mijëra zgjedhës u votuan ju me këtë flamur, ndaj dhe jeni të mirëpritur. Jeni të mirëpritur në gjirin e grupit parlamentar të PD. Beteja e madhe është përpara. Të harrojmë dhe arkivojmë njëherë e mirë betejën njëri me tjetrin. T’i përvishemi Edi Ramës në emër të atyre qindra e mijëra shqiptarëve që vuajnë nën regjimin e tij. Përgëzoj të gjithë ata demokrate e demokratë, të cilët që sot kanë marrë dhe po marrin vendimet e duhura. I garantoj se beteja dhe fitorja do të jetë fati ynë!”

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni