Shtyhet votimi për rritjen e pagave për Kushtetuesen, socialistët vijojnë skeptikë

Nga A2 CNN
12 Qershor 2024, 17:03 | Politikë

Shtyhet votimi për rritjen e pagave për Kushtetuesen, socialistët

E rikthyen në agjendë për votim, por në fund të seancës socialistët vendosën ta shtyjnë projektligjin për rritjen e pagave të gjyqtareve të Kushtetueses. Fillimisht ishte PD, e më pas kreu i grupit parlamentar të mazhorancës bëri kërkesë zyrtare për ta rikthyer në një tjetër seancë. Shkak nuk është bërë vetëm mungesa e votave të opozitës, por edhe kritikat brenda socialisteve, mes tyre Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe, ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja renditi tre arsyet pse duhet votuar.

Gjatë diskutimit në Parlament të këtij projektligji, deputeti Fatmir Xhafaj, u shpreh se Gjykata Kushtetuese duhet të dëshmojë integritet dhe pavarësi. Sipas tij nuk ka logjikë të përafrohet ngarkesa e gjyqtarëve të kushtetueses me ngarkesën e kësaj pune me Gjykatën e Lartë apo dhe vetë SPAK-un.

“Paga e ndihmon pavarësinë, por nuk është baraz integritet, profesionalizëm. Për pozicionin e rëndësishëm që ka Gjykata Kushtetuese, por rolin që luan në forcimin e shtetit të së drejtës, formimi financiar është i rëndësishëm. Jam dakord për rritjen e pagës referuese, por nuk jam fare dakord për shtesën mbi pagë të aplikuar mbi të për arsye vështirësie. Argumentat që diskutohen nuk janë bindëse dhe e bëjnë të diskutueshme këtë vendimmarrje. Gjykata Kushtetuese nuk është maja e piramidës në sistemin e drejtësisë. Është pakujdesi në të shkruar, apo reminishencë e praktikave të mëparshme. Përpjekja për ta futur në këtë rol  Gjykata Kushtetuese  në raport me vendimet e SPAK dhe GJKKO do ishte kthim prapa me pasoja për shtetin e së drejtës. I bie që një gjyqtar kushtetues të paguhet më tepër se presidenti, ministrat apo kryeministri. Bie argumenti i hierarkisë së pagave në piramidën shtetërore. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar nga statusi i kësaj gjykate që nga krijimi. As nga reforma. GJK nuk bën ndonjë rol ndryshe nga GJK e vendeve të tjera. Nuk ka logjikë të përafrojë ngarkesën e punës së kësaj gjykate me ngarkesën e Gjykatës së Lartë dhe SPAK. Të mendosh pastaj se gjyqtarët kushtetuese me prokurorët e SPAK është lajthitje. Do të ishte mungesë vlerësimi për punën e SPAK, në punën ndaj krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Xhafaj.

Edhe pse është kundër këtij projektligji, deputeti Erion Braçe refuzon gjuhën e opozitës të cilën ai e quan si shantazh.

"Këtë lloj gjuhe, që ne nuk ju rrisim rrogat, se keni një vendim për të marrë, është shantazh i drejtpërdrejtë, nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Sa për dijeninë tuaj edhe unë jam kundër këtij projektligji, por refuzoj kategorikisht që të përdor gjuhën që ju përdorni" tha Braçe.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, renditi 3 pikat kryesore se përse propozohet rritja e pagave të  gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij kjo është çështje e zbatimit të ligjit dhe jo çështje dëshire.

“Së pari, Gjykata Kushtetuese ka juridiksion përfundimtar kontrolli mbi kushtetutshmërinë e vendimeve që japin gjykatat e zakonshme, apo të gjykatave të Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni. Së dyti, Kushtetuta e ka veshur Gjykatën Kushtetuese me përgjegjësi ekzkluzive për kontrollin e ligjeve dhe akteve normative. Vendimet e Gjykata Kushtetuese mbi këto çështje kanë fuqi rregulluese, dhe qëndrojnë në një nivel më të lartë se ligjet në sistemin e hierarkisë së normave. Vendimet kanë fuqinë e ligjit. Së treti, kryetari i Gjykata Kushtetuese është personaliteti i katërt në hierarkinë protokollare pas Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit”, tha Manja.

Kjo është hera e dytë që shtyhet votimi për pr/ligjin “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të këtij institucioni. Projektligji parashikon se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni