Partia Demokratike, tashmë më kryetar Sali Berishën, nuk do të ndalë protestat kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një dalje për mediat nga selia blu, ish-deputeti Belind Këlliçi tha se protesta e radhës do të mbahet të premten në orën 11:00.
Ai tha se rikthimi i vulës së PD-së është një fitore, por që nuk u jep pauzë përpjekjeve të tyre për të rrëzuar atë që quajnë “regjimin e Edi Ramës”.
“Kthimi në shtëpi i flamurit të Partisë Demokratike, rivendosja e legalitetit, pas një lufte të gjatë me Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij, është një lajm i mire, jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët.
Por, kjo fitore as nuk e kthen plotësisht normalitetin dhe as u jep pauzë përpjekjeve tona për ta rivendosur deri në fund legalitetin, për të bërë sërish Shqipërinë një vend normal, një vend të të gjithëve, jo vetëm të ‘strategjikëve’ dhe të ‘drejtorëve’.
Prej 11 javësh ne tubohemi para Bashkisë së Tiranës, institucionit të dytë më të korruptuar në vend, që të dëgjohet zëri i së vërtetës, që të demaskohen hajdutët, që të dorëhiqet Erion Veliaj dhe bashkia tu kthehet qytetarëve.
Asgjë nuk na ka ndalur këto javë: as vapa, as presioni, as helmet dhe dhuna policore.
Siç nuk na ndali asnjë kërcënim apo presion, edhe në betejën e gjatë për të rikthyer flamurin e Partisë Demokratike te demokratët. Ju bëj thirrje që në këtë frymë të mblidhemi sërish të premten, ora 11:00, para bashkisë”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)