Në media kanë qarkulluar lajmet se Kuvendi po zhvillohet të mërkurën dhe jo të enjten për shkak se deputetët do të shkojnë në Gjermani për EURO 2024, ku do të luajë dhe kombëtarja shqiptare.
Për këtë arsye, deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i ka kërkuar llogari Kuvendit.
“Ka dalë një arsye banale në media që është fyese, lidhur me shtyrjen e seancës që duhet që të zhvillohej ditën e enjte dhe po zhvillohet ditën e sotme dhe ju keni detyrimin që të jepni shpjegime sepse nuk jeni konsultuar me opozitën. Nëse është ajo arsyeja që është publikuar në media është një akt i turpshëm dhe ne distancohemi nga ajo arsye banale”, tha ai.
Përgjigjen, e mori nga nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj. Ajo tha se vendimi është marrë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku opozita nuk mori pjesë.
“Është vendimi i konferencës së thirrur pak ditë më parë dhe ju nuk morët pjesë. Nuk jap shpjegime sa kohë ju refuzoni të merrni pjesë në konferencë”, tha ajo. (A2 Televizion)