Debati për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, Rama: Gur që bashkoi dy popujt në rrugën e integrimit, jo çështje partish

Nga Marjo Brakaj
10 Dhjetor 2024, 23:12 | Politikë

“Gur themeli që bashkoi pa kthim të dy popujt në rrugën e integrimit dhe jo çështje partish”... Për herën e parë kryeministri Edi Rama foli duke iu bashkuar shqetësimeve mbi debatin për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Komentet i bëri nga mbrëmja e organizuar në nder të politikanit e atdhetarit Arbën Xhaferri, pak para se Gjykata Kushtetuese në Shkup të flasë pas letrës së Ali Ahmetit ku ngrinte alarmin për cenimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Unë mendoj që çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk çshtë çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është çështje e ligjeve, nuk është çështje e vullneteve të përkohshme të partive politike, por gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm ta mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut”, tha Rama, shkruan A2.

Duke e cilësuar si “ëndrrën më të madhe të atdhetarit Arbën Xhaferri”, kryeministri Edi Rama kërkoi që gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut të mos preket: “Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve hyri në fuqi vitin 2019 dhe avancoi dukshëm përdorimin e shqipes, por nuk gjeti zbatim të gjerë në më shumë fusha. Kushtetuesja është duke shqyrtuar kërkesat për rishikimin e ligjit i cili parashikon se në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve dhe alfabeti i saj.

Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë të Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos