“Opinioni i Venecias, goditje Ramës”, PD: Kuvendi të zbatojë vendimet e GJK, kundërshtimi përbën vepër penale

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2024, 18:07 | Politikë

“Opinioni i Venecias, goditje Ramës”, PD: Kuvendi të

Krejt ndryshe nga socialistët e interpretojnë opinionin e Komisionit të Venecias demokratët. Në një deklarate për mediat Oerd Bylykbashi, tha se bazuar në këtë opinion Kuvendi duhet të zbatojë urdhrin e Gjykatës Kushtetuese për të dërguar pranë saj për shqyrtim çështjen e deputetes Xhaçka. Bylykbashi e cilësoi opinionin një goditje të forte për Edi Ramën duke theksuar se çdo veprim i Kuvendit në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese përbën vepër penale.

“Komisioni i Venecias rrëzon përpjekjen e Edi Ramës dhe shumicës socialiste për t’u fshehur pas parimit kushtetues të ndalimit të mandatit detyrues apo ndryshe mandatit të lirë të deputetit. Komisioni i Venecias thekson se ky parim do të thotë se deputeti është deputet i Republikës, përfaqësues i popullit dhe është i lirë në qëndrimet dhe votën e tij nga vullneti i partisë që e ka kandiduar, përfaqëson apo edhe i elektoratit që e ka votuar.

Por ky parim nuk zbatohet ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse detyrimi për Kuvendin dhe çdo deputet që të zbatojë Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk përbën çështje vullneti të lirë, por zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim buron nga parimet e kushtetutshmërisë, shtetit të së drejtës dhe lojalitetit kushtetues mes organeve kushtetuese.

Komisioni i Venecias, në paragrafin 22, thekson se Kuvendi nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve si justifikim për të mos zbatuar vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin specifik, Komisioni i Venecias thekson se Gjykata ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet nga një votim apo nga vullneti i një shumice parlamentare. Me fjalë të tjera, pavarësisht vullnetit negativ të shprehur me votë nga shumica socialiste, Kuvendi duhet të zbatojë urdhërimin e Gjykatës dhe ta dërgojë çështjen e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos