Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Zaçaj nuk largohet, pyet “Venecian” kur i mbaron mandati

Nga Ervin Koçi
10 Dhjetor 2024, 13:51 | Politikë

Komisionit të Venecias ka vendosur t’i drejtohet edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe nga praktika e deritanishme, nuk do të kërkojë opinion këshillimor për norma juridike, por i nevojitet një mendim ekspertësh për të ditur se kur i përfundon mandati.

Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik. Gjej rastin të sjell në vëmendje dhe të kërkoj nga çdo organ tjetër që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve.

Holta Zaçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese shpjegon se ndryshe nga sa është raportuar në disa media, ajo vlerëson se mandati i përfundon jo tani por pas 12 muajsh. Për të shuar këtë dilemë dhe për t’i paraprirë situatave të ngjashme në të ardhmen, thotë se ka kërkuar opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë.

Gjykata e Lartë në vendimin e saj ka deklaruar zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025.  Duke qenë se nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.

Holta Zaçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese është futur në procedurën e ripërtëritjes së saj, ku krahas vakancës së krijuar me dorëheqjen e Elsa Toskës, Kuvendi dhe Presidenca kanë nisur procedurën për zëvendësimin e dy anëtarëve të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos