Opinioni i ‘Venecias’ për Xhaçkën, reagon Bushka: Ja pse u konfirmua qëndrimi i mazhorancës

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2024, 12:47 | Politikë

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, ka reaguar pasi Komisioni i Venecias dha opinionin e tij për çështjen e mandatit të ligjvënëses Olta Xhaçka, shkruan A2 CNN.

Bushka tha në fjalën e saj në një deklaratë për media, se ‘Venecia’ ka konfirmuar qëndrimin e PS se ‘Kuvendi dërgon për shqyrtim në GJK çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti, vetëm kur konstatohet kur vetë deputeti përdor pasuri të shtetit dhe përfiton prej tyre, ndërsa rastet e tjera, Kuvendi i shqyrton vetë’.

“Komisioni i Venecias është shprehur për 5 pyetjet ditën e sotme. Shpreh konsideratën më të lartë për personalitetet e Venecias, që e lexuan në një kohë rekord këtë çështje të rëndësishme. Ky është një shembull më shumë për të nënvizuar rolin e Venecias në funksion të forcimit të demokracisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës.

Komisioni i Venecias shprehet qartë se Parlamenti nuk është i detyruar që të votojë në një mënyrë të caktuar, por është vetëm në gjendje të votojë brenda kompetencës së vetë.

Venecia konstaton se për më tepër parimi që deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre, është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.

Komisioni shpreh mendimin se dy vendimet e Kushtetueses për mandatin e Xhaçkës, nuk duhet të ishin kufizuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre. Me një fjalë vendimet e GJK duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën.

Venecia konfirmoi qëndrimin e mazhorancës se sipas jurisprudencës së GJK shqiptare, Kuvendi dërgon për shqyrtim në GJK çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti, vetëm kur konstatohet kur jemi para rastit të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, pra kur vetë deputeti përdor pasuri të shtetit dhe përfiton prej tyre, ndërsa rastet e tjera, Kuvendi i shqyrton vetë”, tha Bushka, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos