Komisioni i Venecias filtroi procedurën e ndjekur nga Kuvendit i Shqipërisë sa i përket dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të Olta Xhaçkës. Në një opinion të detajuar në 61 paragrafë, ekspertët ndërkombëtar të Këshillit të Europës, i dhanë një përgjigje pyetjes nëse Gjykata Kushtetuese mund të detyrojë apo jo deputetët për të votuar pro dërgimit për gjykim të pajtueshmërisë së mandatit të një deputeti.
Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar të respektojë dhe të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pra nuk mund të ketë diskrecion politik për të respektuar dhe zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast specifik, Gjykata Kushtetuese ka dhënë dy vendime dhe pajtueshmëria me këto vendime nuk duhet të bëhet kushtëzuar nga vota apo nga shumica parlamentare.
Pjesë nga opinioni i Komisionit të Venecias
Që nga 2022 Kuvendi ka votuar tre herë për mandatin e Xhaçkës, duke refuzuar të dërgojë cështjen për gjykim, ndonëse trupa Kushtetuese e kishte kërkuar shprehimisht dërgimin e dosjes nga Kuvendi, përmes dy vendimeve.
Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimin e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si një element të sundimit të ligjit. Kjo pajtueshmëri nuk duhet të bëhet e kushtëzuar nga vota e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e sundimit të ligjit. Kur një gjykim i Gjykatës Kushtetuese interpreton se Kushtetuta kufizon fuqinë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të zbatojë vendimin dhe ta votojë çështjen në fjalë siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe jo vetëm mbi mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Parlamenti pra nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm çështjet që janë kompetencë e tij.
Pjesë nga opinioni i Komisionit të Venecias
Komisioni i Venecias i shpjegon Kuvendit se Gjykata mund të detyrojë deputetët vetëm për çështje që lidhen me veprimtarinë e trupës kushtetuese, duke e cilësuar detyrimin për të votuar jo si cenim të lirisë së deputetëve.
Një parim themelor i shtetit të së drejtës është supremacia e Kushtetutës dhe respektimi i fuqisë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kur ka një të tillë, nga të gjitha pushtetet dhe autoritetet shtetërore. Detyrimi për t’iu bindur Kushtetutës, legjislacionit në fuqi dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk është një formë e kufizimit të mandatit, që nënshtron votën e deputetit ndaj vullnetit politik të partive dhe ndalohet nga standardet ndërkombëtare.
Pjesë nga opinioni i Komisionit të Venecias
Nëse fryma e opinionit të Komisionit të Venecias është në favor të dërgimit të çështjes për gjykim pranë trupës kushtetuese, në germë, teksti përmban disa pasazhe që i mundësojnë mazhorancës ta lexojë raportin në favor të saj. (A2 Televizion)