Pas vendimit të SPAK për të ushtruar kontroll në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së tij, kreu i bashkisë ka reaguar sërish, por me tone shumë më të ashpra se ditë më parë. Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, kreu i bashkisë nën hetim e ka ndarë reagimin e tij në dy pjesë, shkruan A2 CNN.
Në hyrje të tij, Veliaj sulmon Sali Berishën për të gjitha shpifjet e ngritura ndaj tij, duke i kujtuar akuzat për vitin 1997, si dhe ato për Gërdecin dhe “21 Janarin”. “Ai e ka nxirosur vetë portretin e tij para shqiptarëve, si varrmihës i zgjedhjeve të lira, si gardian burgu për liderin e opozitës në vitet ’90, si zhytës i Shqipërisë në kaos dhe gjakderdhje për pushtetin e tij në ’97, si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë kur varrosi 26 shqiptarë të gjallë në biznesin e tij familjar në Gërdec, si shantazhues i shtetit shqiptar kur u kap live duke vrarë në 21 Janar, dhe sot si një pengmarrës i opozitës shqiptare, të cilën ka vendosur ta marrë me vete në varr”, thotë Veliaj.
Në pjesën tjetër të reagimit, Veliaj ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me hetimet dhe kontrollin e të premtes nga BKH-ja, ku mes rreshtave shpreh hapur edhe pakënaqësinë ndaj SPAK, duke thënë se i shkuan për kontroll në banesë pa një vendim gjykate. “Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situatë të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kush e di se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radhët e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve. Kjo është e gjithë ngjarja, e cila tregoi se as jetoj në vila të pajustifikuara, as kam apartamente të padeklaruara, si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre”.
Erion Veliaj thotë në reagim se nuk ka pasuri të fshehura dhe abuzim me detyrën, por edhe pse mund të ketë pakënaqësi ndaj SPAK në lidhje me hetimin ndaj tij, shton se është i hapur ndaj çdo hetimi. “Më pëlqen a s’më pëlqen kjo që po ndodh aktualisht në raport me mua dhe a më duken a s’më duken, mua personalisht, të drejta të gjitha veprimet e SPAK-ut ndaj meje e familjes time, kjo nuk ka pikë rëndësie për mua institucionalisht. Prandaj, jo vetëm nuk i kundërvihem në asnjë formë veprimtarisë së prokurorëve dhe hetuesve të SPAK-ut, por e mirëpres që ta kryejnë deri në fund, siç e mendojnë, detyrën e tyre.”
Në mbyllje të reagimit të tij, Veliaj nuk flet më në vetë të parë njëjës, por për të gjithë familjen e tij politike. Duke përfshirë gjithë socialistët dhe mbështetësin e tij të parë, siç thotë Veliaj për Edi Ramën, ai shprehet i bindur se e vërteta do të triumfojë. “Ky është dallimi ynë: Ne i trajtojmë institucionet e drejtësisë si kolegë dhe shtetarë, opozita i konsideron banditë dhe tradhtarë. Ky është edhe dallimi i madh fare, që mua më bën të ndjehem shumë mirë përpara atyre që më kanë besuar dhe më kanë mbështetur në tërë këto vite, që nga Edi Rama i pari, te shokët e forumeve të partisë, dhe qytetarët e Tiranës, që sot jetojnë në një qytet europian, në një metropol nga më të rëndësishmit e rajonit. Për mua SPAK-u është institucion kushtetues i vendit tim dhe unë jam totalisht në dispozicion të hetimit, i bindur se, në fund, e vërteta do të triumfojë”.
Pak ditë më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontroll në banesën e kryetarit të bashkisë, teksa ky i fundit ndodhej për një vizitë zyrtare në Hamburg të Gjermanisë. Po atë ditë, kontrollit iu nënshtrua edhe biznesi i bashkëshortes së tij që ndodhet në zonën e Ish-Bllokut. (A2 Televizion)