
Nëse gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 ju ka rënë në sy numri i madh i futbollistëve që luajnë me këpucë rozë, nuk jeni të vetmit. Turneu që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë është shndërruar në një vitrinë të vërtetë për këtë ngjyrë, e cila dominon në këmbët e shumë prej yjeve të futbollit botëror.

Tendenca u vu re që në ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, ku pothuajse të gjithë lojtarët titullarë zbritën në fushë me variante të ndryshme të ngjyrës rozë. Fenomeni ka vijuar edhe në takimet e tjera, me emra të mëdhenj si Kylian Mbappé dhe Erling Haaland, por edhe me futbollistë nga kombëtare më pak të njohura si Kepi i Gjelbër dhe Curaçao.

Pas kësaj prirjeje qëndrojnë kompanitë më të mëdha të pajisjeve sportive. Adidas, Nike, Puma, New Balance dhe Skechers prezantuan para turneut koleksione të reja këpucësh me nuanca të forta rozë. Secila markë i ka pagëzuar produktet e saj me emra të ndryshëm, por rezultati në fushë është i njëjtë: një dominim i ngjyrës rozë.
Sipas ekspertëve të industrisë, arsyeja kryesore lidhet me dukshmërinë. Ngjyrat e ndezura i ndihmojnë lojtarët të dallohen më lehtë në fushë, ndërsa markat sportive përfitojnë nga ekspozimi para miliona shikuesve në mbarë botën.

Parashikimet e analistëve të trendeve tregojnë se kjo nuk është rastësi. Kompania ndërkombëtare WGSN kishte identifikuar që në vitin 2024 ngjyrën “Electric Fuchsia” si një nga pesë ngjyrat që do të dominonin vitin 2026, duke e lidhur atë me optimizmin, shprehjen e vetvetes dhe dëshirën për t’u dalluar.

Megjithatë, specialistët theksojnë se performanca mbetet prioriteti kryesor. Futbollistët nuk zgjedhin një palë këpucë vetëm për ngjyrën e tyre, por për teknologjinë dhe komoditetin që ofrojnë në fushë. Roza është thjesht elementi më i dukshëm i një strategjie më të gjerë marketingu dhe dizajni. (A2 Televizion)