“Mosbindje civile në 23 dhjetor”. Berisha: Rama në izolim ndërkombëtar, pres Trump për heqjen e “non gratës”

Nga Anesti Barjamemaj
9 Dhjetor 2024, 15:11 | Politikë

Demokratët do të zbresin sërish në shesh pa u mbyllur viti. Sali Berisha njoftoi se akti i radhës i mosbindjes civile do të jetë në 23 Dhjetor, duke e cilësuar si lëvizjen më të fuqishme deri më tani.

“Data 23 dhjetor do të jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria gjer sot. Demokratët nga mbarë Shqipëria dhe kudo që ndodhen në botë, duhet të bashkohen me 23 në një mosbindje civile që duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës”, tha Berisha, raporton A2 CNN.

Përveç protestave, Partia Demokratike është angazhuar edhe në arenën ndërkombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, duke lobuar për të miratuar deri më tani tre rezoluta në forumet e partive të djathta. Kjo sipas Berishës tregon se Rama po izolohet ndërkmbëtarisht. “Kurrë ndonjëherë nuk do të votoheshin tre rezoluta në më pak se një muaj për një vend. Por janë ndërgjegjësuar aleatët se kemi të bëjmë me një narko diktator. Të themi atë që është, Edi Rama është në rrethin e kuq”.

Rezolutat nuk do të jenë i vetmi hap për demokratët në në raport me partnerët. Lideri i opozitës pohoi se sapo Donald Trump të marrë zyrtarisht drejtimin e shtëpisë së bardhë, do të nisë lobimin për heqjen e nongratës amerikane. “Unë pres dorëzimin e pushtetit nga ana e tyre, që unë të filloj përpjekjet e mia për të paraqitur këtë akt që do të ngelet, në historinë e demokracisë, si një njollë e zezë për ata që e vendosën”.

Lideri i Partisë Demokratike gjatë konferencës me median konfirmoi sërish gatishmërinë e opozitës për çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar sa më shumë votimin nga jashtë vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos