Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Kryesinë e PS për të zyrtarizuar Blendi Klosin si drejtues politik të qarkut të Dibrës, por edhe ndryshimet e tjera.
Sipas burimeve për A2 CNN, bëhet me dije se në fokus të kësaj mbledhjeje ishin gjithashtu edhe organizimi për zgjedhjet e vitit 2025.
Po ashtu mësohet se në mbledhjen e Kryesisë së PS ishin të pranishëm online edhe kryetarët e bashkive. Në fokus gjithashtu ishte edhe vota e diasporës.
Burime bëjnë me dije se socialistëve ju janë lënë edhe 2-3 javë kohë për identifikimin e emigrantëve dhe regjistrimin në regjistrat e PS, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se Rama i ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm shumë më herët dhe ka pretenduar në deklarata për media se PS do të arrijë një rezultat historik, si në vitin 1997.
Nga ana tjetër, edhe opozita ka nisur organizimin për zgjedhjet e ardhshme, ku kryedemokrati Sali Berisha ka premtuar te mbështetësit fitoren e zgjedhjeve dhe rotacionin politik.
Kujtojmë se Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 11 maj 2025 si datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)