Kjo është Shqipëria që donte Azem Hajdari? Vajza e tij përgjigjet në “Off the Record”

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2024, 21:32 | Politikë

Kjo është Shqipëria që donte Azem Hajdari? Vajza e tij

Rudina Hajdari, e ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2, theksoi se kjo nuk është Shqipëria që do të donte babai i saj, Azem Hajdari.

“Nuk mendoj që kjo është Shqipëria që ai ka dashur. Në këto 34 vite gjërat kanë ndryshuar, Shqipëria patjetër që është më ndryshe. Ka vite që Shqipëria është zhytur në depresion ekonomik dhe social, ku shikoj braktisje totale të vendit nga të rinjtë, nga pjesa punëtore, që synon vendet e tjera. Mjafton të shikosh shifrat dhe kupton që Shqipëria ka të paktën 10 vite që njerëzit po preferojnë të largohen”, tha Rudina Hajdari.

Sipas saj, “gjendja e tanishme e vendit vjen sepse modeli shoqëror ka rënë dhe ai që i shërbejmë të rinjve sot nuk është i shëndetshëm”.

“Një profesor apo doktor nuk respektohet më siç respektohej më parë. Sot respektohet një gangster, një që pasurohet shpejt apo ka makinë të mirë. Kjo nuk do të thotë që nuk i dimë se ku janë vlerat, por ka ndodhur që idelizmi ka rënë si koncept. Njerëzit kanë shkuar drejt pragmatizmit dhe arsyeja pse ndodh kjo është se politika shqiptare nuk ka dhënë një model të mirë. 34 vite kanë treguar se ata që janë në pushtet nuk e lëshojnë kollaj dhe servilët janë ata që ecin përpara. Ne të rinjve po i themi që ecin përpara duke i qëndruar pranë atyre që kanë pushtetin. Ky është modeli më i gabuar i mundshëm”, shpjegoi Rudina Hajdari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos