Blendi Gonxhja, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 u shpreh se keqqeverisja e Partisë Demokratike ka bërë që të shtohet emigracioni.
“Tipari i parë i lirisë është liria e lëvizjes. Është aset i madh kombëtar që të kemi kaq remitanca dhe ndihmë nga bashkëkombasit që kanë arritur sukses jashtë dhe ndihmojnë familjet e tyre këtu. Ky është ekuilibrator shumë i mirë i ekonomisë, sidomos në momente krizash. Diasporën e njoh, kam qenë edhe vetë emigrant, kam bërë edhe hamallin në Greqi në fillim të viteve ’90. Në diasporë sot, ju garantoj që 80% kanë ikur në vitet kur Shqipëria ka qenë e dobët, e ndikuar jo nga qeverisja jonë”, tha Gonxhja.
“Kanë ikur për shumë vite me radhë dhe ata që duan të kthehen, e kanë të vështirë sepse fëmijët u janë rritur në një vend tjetër. Shumë vështirë që prindi të vendosë të kthehet”, shtoi Gonxhja.
Sipas ministrit, “efektet e një qeverisjeje nuk janë sot për nesër”.
“Efektet e një qeverisjeje të keqe janë minimalisht 4-5 vite më pas. Reformat e gabuara të pensioneve nuk kanë qenë të qëllimshme, por të dobëta. Bënë një formulë llogaritje të pensionit të gabuar dhe njerëzit vendosën që mos ta paguanin fare kontributin. Në vitin 2014 me reformën e re përfituan ata që dolën në vitin 2014, ndërsa për ata që kishin dalë para, vazhduan të marrin pensionin që merrnin. Sepse e tillë është skema kontributive, nuk ndërhyn dot në prapaveprim. Rregullohet skema në momentin kur bëhet reforma. Të gjitha qeveritë do të donin të jepnin nga 1000 euro për pensionistët, por nuk rrënohet ekonomia e vendit. Stabilizimi i pagave shëron skemën e pensioneve”, shpjegoi ministri (A2 Televizion)