"PS, 4 vite pa kryetar forumi", kreu i FRPD: Ramën e tmerron organizata e mirëstrukturuar rinore

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2024, 22:08 | Politikë

"PS, 4 vite pa kryetar forumi", kreu i FRPD: Ramën e tmerron

Besart Xhaferri, kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2, deklaroi para të rinjve socialistë se “është për të ardhur keq” që Partia Socialiste ka “4 vjet pa kryetar forumi rinor kombëtar”.

“Ju keni 4 vjet pa kryetar forumi kombëtar. Kjo është për të ardhur keq, është edhe dëm ndaj të rinjve të Partisë Demokratike nëse shembulli në kampin tjetër është mosorganizimi. Kjo ndodh sepse kreun e partisë (Edi Rama) e tmerron fakti që mund të ketë një organizatë të mirëstrukturuar rinore. E tmerron edhe prezenca në atë parti e një zotërie si Ditmir Bushati, që unë e respektoj. Atë e larguan sepse flet kundër. Rama mundohet të japë modelin që po u lëpive, pavarësisht identitetit tënd, ecën”, deklaroi Xhaferri.

“Ndërsa në PD ka qenë Sokol Olldashi; Belind Këlliçi që kandidoi për Bashkinë, sot drejtues politik i Tiranës; Gent Strazimiri, Rigels Muçollari, Ina Zhupa, Andia Ulliri… Unë në çdo debat televiziv që shkoj nuk kam homolog përballë që të jetë kryetari i FRESSH-it”, shtoi kryetari i FRPD.

Savio Dosti, nga Akademia Politike e Partisë Socialiste, u përgjigj: “Momentalisht ne operojmë me kryetarë në çdo bashki dhe kemi edhe Sekretarin e Rinisë. Mungesa e një kryetari kombëtar nuk i bën të rinjtë e Partisë Socialiste të keqorganizuar. Kemi metodat tona të organizimit, kemi një kryetar për çdo bashki dhe nuk është e thënë që të kemi një “kokë” që drejton të gjithë Shqipërinë. Sekretari Rinor bën lidhjen midis Forumit dhe partisë. Mendoj se jemi një parti që ka përfaqësuar shumë mirë të rinjtë në nivel lokal. Normalisht që ka vend për përmirësim. Nuk kam punuar dhe as nuk e njoh kryeministrin, por nuk mendoj se ka frikë nga asnjë person në strukturat e PS. Ai i mbështet të rinjtë dhe strukturat, pavarësisht pa kryetar, po funksionojnë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos