Duke nisur nga sot Djathtas 1912 do të prezantojë ofertën elektorale dhe agjendën politike të legjislaturës së ardhshme. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, partia Djathtas 1992 thekson pikat ky mbështetet ky program duke nisur nga liritë politike, ekonomike dhe civile të individit, te çështja e pronës dhe siguria kombëtare.
“Nga dita e sotme Djathtas1912 do të prezantojë përmes konferencave për shtyp dhe takimeve me qytetaret, ofertën elektorale dhe agjendën politike të legjislaturës së ardhshme për të cilat do marrim mbështetjen e qytetarëve me votë në zgjedhjet e 11 Majit. Programi ynë elektoral i mbështetur tek liritë politike, ekonomike dhe civile të individit, sovraniteti popullor i përfaqësuar ne qeverisjen qendrore dhe lokale, zgjidhja e çështjes së pronës private, forcimin e familjes, forcimin e qeverisjes vendore, rishikimin e historisë dhe forcimin e sigurisë kombëtare, do të prezantohet në mënyrë të përditësuar për opinionin publik dhe mediat”, thuhet në deklaratë.
Ndër pikat e tjera që Djathtas 1912 do të kërkojë në legjislaturën e ardhshme parlamentare do të jetë përcaktimi në Ligjin “Për Festat Zyrtare e Ditët Përkujtimore” të datës 21 janar, si ditë Feste Zyrtare dhe ndryshimin e emërtimit të “Ditës së Rinisë” në “Ditën e Lirisë”.
“Siç shkruan Mit'hat Frashëri “Kongresi Lushnjes dhe përpjekjet e gjakta të Vlorës, kurorëzuan veprën patriotike dhe proklamuan botënisht me bujë vullnetin e kombit”. Ndaj Djathtas 1912 ne legjislaturën e ardhshme parlamentare do të kërkojë përcaktimin në Ligjin “Për Festat Zyrtare e Ditët Përkujtimore” të datës 21 janar, si ditë Feste Zyrtare. Po ashtu, ndërsa prej vitesh festojmë 8 Dhjetorin si festë zyrtare nën emërtimin “Dita e Rinisë”, konsiderojmë se është i nevojshëm nderimi i kësaj date në lartësinë që i takon. Rinia studentore që shënjoi rrëzimin e diktaturës më të egër komuniste nuk synonte ndryshim për rininë, por ndryshimin e madh të Shqipërisë. Revolucionin paqësor të kalimit nga ferri totalitarist në një vend demokratik të lirive politike, ekonomike dhe civile. Ndaj 8 dhjetori si ditë e ndarjes së dy epokave, meriton të quhet “Dita e Lirisë” për ta çuar këtë datë në lartësinë e saj”.
(A2 Televizion)