Beteja e opozitës nuk do të bëhet vetëm në Parlament. Në një kohë kur mazhoranca ka refuzuar kërkesat e demokratëve për ngritjen e Komisioneve Hetimore, Rithemelimi denoncimet do t’i vijojë nga selia.
Nënkryetari Oerd Bylykbashi, gjatë një konference ku u denoncuan projektet e qeverisë në infrastrukturë dhe urbanistikë, u shpreh se nga selia blu do të bëhen publike ato fakte që nuk mundën të thuhen dot në Komisionet Hetimore.
“Kemi kërkuar dy çështje në parlament. Hetimin e aferave korruptive, pra kjo që paraqitëm sot, një pjesë e komisioneve janë për këtë çështje. Dhe në fusha të tjera ka komisione të tjera. Kërkojmë të hetojmë se si shpërdorohen paratë publikut nga Edi Rama dhe ministrat e tij. T’i vëmë ata përpara përgjegjësisë dhe mundësisht më pas të vendosim barrierat ligjore që pengojnë abuzimin."
Sipas Bylykbashit, opozita do të kërkojë sërish ngritjen e Komisioneve Hetimore dhe bëri thirrje për konsensus sa i përket reformës zgjedhore. Teksa komentoi deklaratën e Kryeministrit Rama që kërkonte konsensus aritmetik, Bylykbashi i kujtoi atij rekomandimet e OSBE-së.
“E mori përgjigjen menjëherë nga OSBE-ja. OSBE-ja doli me qëndrim ku kërkonte reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që synon arritjen e objektivave të përbashkët konsensuale, sepse është pikërisht ajo që ka bërë OSBE-ja. E ka ideuar në vitin 2002 dhe e ka mbështetur në 20 vite një reformë zgjedhore bipartizane."
Një përgjigje e pati edhe për Lulzim Bashën, i cili la të hapur mundësinë e bashkimit të votave me mazhorancën për zgjedhoren.
“Çdo patericë e Edi Ramës në këtë proces, vetëm i bën dëm. Këtu nuk është çështja nëse Basha e ka çuar i pari, më kujton momentet kur vraponte i pari për të çuar një draft, por më pas ishte i pari që prishte komisionin e reformës."
Bylykbashi shtoi se opozita është e gatshme që të ulet për dialog, por tha se reforma duhet bërë vetëm me konsensus dhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve. (A2 Televizion)