Për ambasadorin e OSBE në Tiranë, Mishel Tarran, protestat qytetare që po vijojnë prej datës 31 Maj janë një element i demokracisë dhe shprehet i gëzuar që këto tubime kanë qenë paqësore dhe pa incidente.
“Protestat janë një aspekt normal i jetës demokratike dhe gëzohem që Shqipëria është bërë një vend ku protesta të tilla organizohen në mënyrë shumë qytetare dhe paqësore. Ka pasur disa incidente, por në përgjithësi, pas më shumë se një muaji, nuk ka pasur incidente të rënda”, deklaroi Mishel Tarran, ambasadori i OSBE.
Por ndërsa vlerësoi reagimin e të ashtuquajtuve Flamingo, një koment pati edhe për klimën politike në vend, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e dialogut mes palëve.
“Fakti që ekzistojnë dy, tre apo më shumë pole në politikë është diçka normale. Është një karakteristikë e vendeve demokratike. Fatkeqësisht, dialogu politik në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur”, u shpreh Michel Tarran.
Këto komente ambasadori i OSBE i bëri nga Korça ku zhvilloi një vizitë këtë fundjavë. (A2 Televizion)