Hasimja: Koncerti i Kanye West nuk i bën nder Shqipërisë

Nga A2 CNN
10 Korrik 2026, 22:37 | Politikë

Politologu Ermal Hasimja deklaroi se koncerti i Kanye West nuk i bën nder Shqipërisë.

Në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN, Hasimja renditi arsyet e tij.

“Ky është një këngëtar i cili në shumicën dërrmuese të vendeve të Europës nuk është lejuar që të japë koncerte për arsye të preferencave të tij të shpallura antisemite, naziste etj. Dhe kjo nuk i bën nder Shqipërisë. Është e vërtetë që kjo tërheq vëmendje, në sensin që do flasin gazetat që Kanye West po shkon të japë koncert në Shqipëri, ndërkohë që të tjerët s'e kanë pranuar. Krijon polemikë e gjithë këto gjëra. Por, a na duhet kjo lloj vëmendje? A duhet Shqipëria që të portretizohet si një vend ku dikush i cili ka qëndrime të tilla naziste, antisemite të japë koncert? Dhe kjo bie ndesh komplet me atë çfarë jemi përpjekur neve të ndërtojmë si imazh, si një vend i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore i ka ndihmuar hebrenjtë, që është një vend mikpritës, që është një vend joracist, që është një vend me tolerancë fetare, etnike etj.”, tha Hasimja.

“Ky është problemi i madh. Është si puna e atleteve të bardha: zgjedh në një moment që të tërheqësh vëmendje, por zgjedh mënyrën e keqe për ta tërhequr vëmendjen. Pjesa tjetër pastaj është e thjeshta. Ai 4 milionëshi do na bënte shumë më tepër punë neve nëpër spitale supozojmë apo me një koncert në të cilin me thënë të vërtetën nuk i shoh ndonjë lloj vlere”, shtoi politologu Erman Hasimja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos